Liria ka njoftuar se i ka nxjerrë në shitje biletat për ndeshjen e madhe të fundjavës ndaj Vushtrrisë.
Ky do të jetë një super-derbi mes ekipeve të njohura të futbollit kosovar që synojnë të kalojnë nga Liga e Parë në Superligë, shkruan “Gazeta Express”.
“Për shkak të interesimit të madh nga tifozët, ju njoftojmë se biletat dalin në shitje sot nga ora 14:00 deri në ora 16:30. Biletat do të shiten në hyrje te biletaria e klubit”, njofton klubi Bardhezi.
Ndërkohë është zbuluar edhe çmimi i biletave, i cili do të jetë 2 euro.
Në ndeshjen që do të luhet të dielën në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren pritet që prezentë të jetë edhe një numër i konsiderueshëm i tifozëve “Forca” nga Vushtrria.
Kjo njëherësh do të jetë edhe një përballje mes trajnerëve të njohur, Ismet Munishi dhe Armend Dallku, prandej edhe ky fakt e bën këtë sfidë edhe madhështore, krahas madhështisë së dy klubeve të vjetra kosovare.
Aktualisht, Vushtrria është e para në tabelë, kurse Liria është e katërta.
Por, ato i ndajnë vetëm dy pikë në garën super të nxehtë që është duke u zhvilluar sivjet në Ligën e Parë. /Gazeta Express