Sot do të kompletohet gjysmëfinalja e Kupës së Kosovës në futboll.
Llapi dhe Malisheva do të përballen mes vete në ndeshjen e fundit çerekfinale në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, me llapjanët që do të rikthehen në folenë e tyre, e cila ishte në renovim në javët e fundit.
Llapi i ka ftuar tifozët në mënyrë masive për ta përkrahur ekipin, ndërsa hyrja për këtë ndeshje do të jetë falas, shkruan “Gazeta Express”.
Si Llapi, ashtu edhe Malisheva, synojnë ta fitojnë këtë trofe, përmes së cilit mund të dalin në Evropë.
Llapjanët madje i kanë shpresat e vetme që përmes Kupës t’i prekin garat evropiane pasi në Superligë kanë ngecur prapa “zonës Evropë”.
Nga ana tjetër, Malisheva është në garë për ta prekur Evropën edhe përmes ligës, por do të mundohet që një gjë të tillë ta arrijë edhe përmes trofeut prestigjioz të futbollit kosovar.
Ndeshja mes Llapit dhe Malishevës do të luhet sot duke filluar nga ora 13:00.
Dje, kualifikimin në gjysmëfinale e siguruan Ballkani, Dukagjini dhe Ferizaj, të cilët i mposhtën në çerekfinale Feronikelin 74, Gjilanin dhe Vushtrrinë. /Gazeta Express