Ish-mbrojtësi i krahut i Milanit, Alex Jimenez, ka konfirmuar se kishte dërguar një mesazh ku e quante Massimiliano Allegri “trajner m***”, në fund të kohës së tij te kuqezinjtë, ka kërkuar falje për incidentin dhe ka zbuluar arsyen pse vendosi të largohej nga “San Siro” për t’iu bashkuar Bournemouth në Premierligë gjatë verës.
Jimenez dha një intervistë të detajuar për Gianluca Di Marzio dhe “Sky Sport Italia”, të publikuar të martën, ku foli për fillimin e tij në Premierligë dhe largimin e trazuar nga Milani.
Ai u formua në akademinë e Real Madrid përpara se të huazohej dhe më pas të transferohej përfundimisht te Milani në vitet 2023 dhe 2024.
Jimenez bëri 22 paraqitje në 24 ndeshjet e fundit të sezonit 2024-25, pavarësisht ardhjes së Kyle Walker në janar, duke lënë përshtypje të mira me ekipin e parë, por më pas u shit te Bournemouth në fund të merkatos pasuese.
“Është ëndërr për mua të luaj në Premierligë. Jam i lumtur me mënyrën si po shkojnë gjërat,” tha ai.
“Është e vërtetë që Premierliga është më fizike se Serie A dhe LaLiga, por ndihem mirë këtu. Cilësia ime kryesore është shpejtësia dhe ky është ambienti i duhur për ta treguar atë.
“Jam rritur në dy nga klubet më të mëdha në botë. Jeta këtu në Bournemouth është më e qetë, ka më pak presion. Tifozët janë gjithmonë me ne, në të mirë e në të keq.
“Marrëdhënia ime me Andoni Iraola është e shkëlqyer, jam shumë i lumtur që kam një lider si ai dhe shpresoj të luaj nën drejtimin e tij për një kohë të gjatë.”
Kur u pyet se çfarë do t’u thoshte tifozëve të Milanit, ai u përgjigj: “Faleminderit.”
“Është klubi që më dha mundësinë në ekipin e parë, një skuadër që e kam dashur dhe e dua ende. Kalova momente të bukura atje, nuk doja të largohesha. Por kur nisi sezoni, e kuptova se nuk do të isha lojtar kyç; pati disa situata që nuk më pëlqyen.”
Duke sqaruar më tej, ai tha: “Nuk më dhanë përgjegjësinë që mendoja se e meritoja, duhej të besonin më shumë tek unë.
“Po ju jap një shembull: në fillim të sezonit kërkova fanellën me numrin 2. E doja për traditën e mbrojtësve të mëdhenj. Më thanë jo, se nuk isha gati dhe se isha shumë i papjekur. Gabuan. Që aty, është e vërtetë, humba përqendrimin dhe disa herë arrita me vonesë.”
Në fund të merkatos verore, në rrjetet sociale qarkulluan imazhe ku dukej se Jimenez po kritikonte Allegrin me mesazh, duke e quajtur “trajner m***”.
Gjashtë muaj më vonë, ai ka marrë përgjegjësinë e plotë për atë gabim.
“Ishte budallallëk, nuk mendoj se Allegri është trajner i keq dhe historia e tij e tregon këtë. Sapo kisha dalë nga një ndeshje ku nuk luajta dhe isha i zemëruar, zgjodha personin e gabuar për t’ia dërguar mesazhin.
“Që nga dita e parë kërkova falje. Nuk mendova për atë që po shkruaja. Ai e pranoi faljen time.
“Të gjitha këto situata ma prishën qetësinë dhe unë isha ai që i kërkova klubit të gjente një zgjidhje në merkato. Milani është një klub që e dua dhe nuk doja të ndihesha keq apo të ndikoj negativisht te skuadra me fazën time të keqe.”
Gjatë periudhës së tij të fundit te Milani, Jimenez luajti nën drejtimin e tre trajnerëve: Stefano Pioli, Paulo Fonseca dhe Sergio Conceicao.
Sezoni 2024-25 ishte i vështirë për kuqezinjtë, të cilët e mbyllën kampionatin në vendin e tetë, duke mbetur jashtë garave evropiane për sezonin 2025-26.
“Nuk mendoj se problemi ishte te trajnerët, por te skuadra,” përfundoi ai. “Duhej të kishim më shumë besim te vetja.
“Kështu është futbolli, një vit shkon keq dhe vitin tjetër shkon mirë. Shikoni si është tani.”/GazetaExpress/
Reiseburo Prishtina ka kënaqësinë të njoftojë se duke filluar nga data 28 Qershor, do të ofrohen fluturime direkte dy...