Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe ish-kryeministri, Avdullah Hoti, në një intervistë për Gazetën Express ka folur për diskutimet që po ndodhin rreth zgjedhjes së presidentit të ri, pozicionit të LDK-së dhe qëndrimin e tij për këtë temë, shkruan Gazeta Express.
Besnik Velija
Hoti i pyetur për emrin e Vjosa Osmanit, ka thënë se është e qartë se shef i ri i shtetit s’duhet të jetë dikush që noterizon qëllimet e një subjekti politik”
“Një gjë është e qartë: Presidenti duhet të jetë person unifikues, person me integritet, që përfaqëson të gjithë, e jo person që noterizon qëllimet e një subjekti politik”, ka thënë Hoti për Gazetën Express.
Ai ka sqaruar se LDK ka dhënë opsionet e saj për atë se si duhet zgjidhur çështja e presidentit, një kandidat jo-partiak konsensual nga të gjithë ose një marrëveshje LDK-LVV.
“LDK-ja ka paraqitur alternativat e mundshme: një kandidat jo-partiak konsensual për të gjitha partitë, ose një kandidat që propozohet nga LDK-së bazuar në një marrëveshje politike mes LDK-së dhe mazhorancës”, ka thënë Hoti për Express.
Për negociatat që po bëhen, ish-kryeministri thotë se përgjegjësia kryesore për suksesin ose dështimit të tyre është tek Lëvizja Vetëvendosje, që sipas Hotit, duhet të marrë parasysh kërkesat e partive opozitare për të shkuar drejt zgjidhjes.
“Opozita e ka rolin e saj, ajo duhet të sillet në interesin më të mirë të shtetit të Kosovës, duke marrë pjesë në proces negociues dhe duke paraqitur alternativa kredibile”, shprehet Hoti.
Në këtë bisedë për Express, Hoti thotë se përgjegjësia për të siguruar shumicën bie mbi Lëvizjen Vetëvendosje.
“Duke qenë se ajo ka dalë forca më e madhe politike, është detyrë e saj të ndërtojë konsensusin e nevojshëm me partitë tjera për ta zgjidhur këtë çështje dhe për të shmangur krizën institucionale”, ka përfunduar ish-kryeministri Avdullah Hoti.
Kosova ka në dispozicion edhe më pak se 48 orë për të zgjedhur presidetin e ri, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e parakohshme. Kurti ka zhvilluar dy takime me Bedri Hamzën dhe tri me Lumir Abdixhikun, megjithatë s’ka pasur zgjidhje.
Nga takimet e mbajtura deri sot, s’ka pasur asnjë emër konkret të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Bedri Hamza pas takimit që ka pasur me Kurtin ka shprehur qëndrimin e tij që një i propozuar i PDK-së të jetë kandidat për president./GazetaExpress/
Reiseburo Prishtina ka kënaqësinë të njoftojë se duke filluar nga data 28 Qershor, do të ofrohen fluturime direkte dy...