Chelsea nuk humbi kohë për t’i kujtuar Arsenalit hierarkinë në kryeqytet, pas humbjes shkatërruese të “Gunners” në finalen e Ligës së Kampionëve të shtunën.
Ndërsa skuadra e Mikel Artetës ra në pengesën e fundit ndaj Paris Saint-Germain, “Blutë” përdorën rrjetet sociale për të dhënë një kujtesë të ftohtë për trashëgiminë e tyre europiane.
Rivaliteti i ashpër mes Chelseat dhe Arsenalit arriti kulmin të shtunën në mbrëmje, por jo për shkak të një ndeshjeje mes tyre.
Në vend të kësaj, ishte ekipi i rrjeteve sociale i Chelsea që ndezi një stuhi reagimesh duke tallur brutalisht dështimin e Arsenalit për të fituar titullin e tyre të parë në Champions në Budapest.
Ndërsa lojtarët e Arsenalit ende po përballeshin me zhgënjimin e humbjes me penallti ndaj Paris Saint-Germain, llogaria zyrtare e Chelsea në Instagram publikoi një reklamë për turet në stadiumin e tyre.
Postimi thoshte në mënyrë të qëllimshme: “Ejani dhe vizitoni Shtëpinë e Trofeve në Londër”, shoqëruar me dy yje – që përfaqësojnë dy kupat e tyre europiane – dhe një imazh të dukshëm të trofeut të Championsit.
Ishte një natë zhgënjimi i thellë për pjesën e kuqe të veriut të Londrës.
Pavarësisht një performance të fortë që e çoi ndeshjen në 1-1 pas 120 minutash futbolli të tensionuar, “Gunners” u mposhtën në fund nga shorti i penalltive.
Momenti vendimtar erdhi kur Gabriel Magalhães humbi penalltinë e pestë dhe të fundit, duke ia dhënë trofeun gjigantëve francezë.
Koha e postimit të Chelseat ishte veçanërisht e ftohtë, duke u shfaqur pothuajse në të njëjtin moment kur penalltia e humbur e Gabrielit konfirmoi eliminimin e Arsenalit.
Ishte një kujtesë ironike se Chelsea mbetet i vetmi klub në Londër që ka ngritur trofeun më prestigjioz në futbollin europian për klube, një fakt që ata qartësisht synojnë ta mbajnë në qendër të diskutimit.
Ndërsa “battlen” në rrjetet sociale vazhdonte, atmosfera në kampin e Arsenalit ishte natyrisht e zymtë.
Mikel Arteta e kishte të vështirë të fshihte zhgënjimin për mënyrën e humbjes.
Trajneri i Arsenalit tha: “Është shumë e vështirë ta pranosh kur je kaq konstant gjatë gjithë kompeticionit deri në finale dhe e humb në penallti. Është një situatë e vështirë.” Ai shtoi më pas: “Për siguri, ajo që u thashë lojtarëve dhe stafit, nëse u them një milion ‘faleminderit’ nuk është e mjaftueshme. Nuk është për atë që kemi fituar, por për gëzimin që kemi pasur çdo ditë.”
Mesfushori Declan Rice ishte po aq i dëshpëruar, pasi sezoni i tij i parë në “Emirates” përfundoi pa trofeun më të madh.
Rice u shpreh: “Është shumë zhgënjyese. Është shkatërruese të humbasësh finalen e Champions me penallti. Por ishte një sezon i jashtëzakonshëm. E dhamë gjithçka. Penalltitë janë një llotari dhe kjo është futbolli. Disa nga skuadrat më të mira ndonjëherë kanë humbur me penallti në finale. Ne fitojmë bashkë, humbasim bashkë dhe jam shumë krenar për këtë grup dhe këta djem. Çfarë sezoni. Ka qenë i jashtëzakonshëm. Sigurisht jam i mërzitur, por ka qenë një rrugëtim i jashtëzakonshëm këtë sezon. Do të kthehemi”./GazetaExpress/