Në afatin kalimtar të janarit, Roma e realizoi një nga transferet më të komentuar të dimrit, duke e sjellë në kryeqytetin italian sulmuesin holandez Donyell Malen nga Aston Villa – një lëvizje që po konsiderohet si goditje e madhe e “pazarit” nga trajneri i ri, Gian Piero Gasperini.
Vetë Malen ka folur pas transferimit duke e përshkruar menjëherë raportin e krijuar me trajnerin dhe rëndësinë e tij te Roma, shkruan “Corriere dello Sport”, përcjell “Gazeta Express”.
“Jam sulmuesi (9-shi) që po e kërkonte Roma. E kam një lidhje të shkëlqyer me trajnerin, ai është shumë i rëndësishëm për këtë klub dhe unë mezi po pres të punoj me të”, thoshte ai.
Këto fjalë e theksojnë besimin e tij të menjëhershëm në projektin e Romës dhe në vizionin e trajnerit italian.
Trajneri Gasperini ka dhënë detaje rreth mënyrës se si u realizua ky transferim.
“Në lidhje me Malen, punuam tre-katër ditë për ta mbyllur ‘operacionin’. Unë nuk jam pjesë e negociatave për çdo lëvizje, por ky ‘operacion’ është punë e mirë koordinuar nga klubi. Pronari dhe drejtuesit dhanë mbështetje të madhe dhe gjithçka u krye në mënyrë perfekte.”
Fjalët e tij nënvizojnë se Roma punoi me vendosmëri dhe shpejtësi për ta arritur marrëveshjen në janar.
Që prej transferimit te Roma, Malen e ka pasur një impakt të dukshëm në Serie A.
Ai ka shënuar 6 gola në 7 ndeshje të kampionatit, një statistikë që tregon se përforcimi ka qenë shumë i suksesshëm dhe i përshtatur me nevojat e skuadrës.
Gjasat janë që, nëse do të kishte ardhur në verë dhe jo në janar, numrat e tij do të ishin edhe më të pasur gjatë gjithë sezonit. /Gazeta Express