Anësori dardan ishte kyç në dy golat e Juventusit, që çuan në barazimin e rezultatit në 3-3.
Zhegrova u fut në ndeshje në minutën e 72-të, gjersa rezultati ishte ende 3-1 për Romën.Me dy harkime në zonë, që më pas u shfrytëzuan më së miri nga Jeremie Boga dhe Federico Gatti, Zhegrova i dha një pikë të çmueshme Juventusit të tij, në garën për një vend në Ligën e Kampionëve.
Për të komentuar paraqitjen e Edon Zhegrovës dje, “Tuttomercatoweb” ka intervistuar ndërmjetësin që më parë kishte punuar për transferimin e tij në Itali, te blerja e re e Juventusit, Serxhio Mezi.
“Juventusi në përgjithësi bëri një rikthim të bukur, ndërsa Roma humbi dy pikë rrugës. Sa i përket Zhegrovës, Edon hyri shumë mirë, duke bërë diferencën me aftësitë e tij për të sfiduar kundërshtarin dhe krijuar superioritet numerik. Nuk e di si mund të zëvendësohet Conceiçao me Zhegrovën: janë dy lojtarë sulmues, me karakteristika të ngjashme sa i përket presionit ofensiv. Spalletti e vendosi në stol dhe, siç dihet, kështu një lojtar e shkatërron mendërisht”, tha ai fillimisht.
Tutje, ai tha se vendimi për të kaluar te Juventusi ka qenë i gabuar.
“Edoni kaloi një dëmtim shumë të vështirë dhe nuk u trajtua 100%. Ai ka nevojë për besim dhe vazhdimësi. Me retrospektivë, vendimi i Juventusit ka qenë i gabuar dhe Zhegrova duhet të largohej që në verë. Kjo, natyrisht, është vetëm opinioni im personal”, e mbylli ai.
Zhegrova u transferua te Juventusi në ditën e fundit të afatit kalimtar të verës së shkuar, për një shumë prej 15.5 milionë euro + bonuset nga Lille./GazetaExpress/