Futbollisti i FC Prishtinës, Mario Ilievski, është shpallur “Ylli i Javës” për xhiron e 22-të në Superligën e Kosovës, çmim që ndahet nga Federata e Futbollit e Kosovës në bashkëpunim me sponsorin e ligës, Albi Mall.
Sulmuesi nga Maqedonia e Veriut e fitoi këtë vlerësim falë supergolit të realizuar nga mbi 40 metra në derbin përballë FC Drita dhe performancës së tij në sfidën që u mbyll në barazim, 1:1.

Goli i tij spektakolar jo vetëm që i ndezi tribunat, por u konsiderua edhe një nga realizimet më të bukura të sezonit.
Pas marrjes së çmimit, Ilievski e dedikoi vlerësimin për tifozët:
“Fillimisht, faleminderit për vlerësimin. Kam shënuar një gol të çmendur dhe nuk dija as si të veproja; vetëm kam vrapuar tek fansat që të festojmë bashkë. Është një gol që nuk shënohet çdo herë.”

“Kemi edhe 14 ndeshje dhe çdo ndeshje është një finale për ne. Nuk jemi të lumtur me rezultatet, sepse e dimë që mund të bëjmë më mirë e më mirë, por do të luftojmë në çdo ndeshje që të dalim në vendin e parë.”
“Dua këtë çmim t’ua dedikoj tifozëve ‘Plisat’, të cilët na dhuruan një atmosferë të zjarrtë dje dhe shpresoj që do të jenë në çdo ndeshje për të na dhuruar një atmosferë të tillë” tha ai për faqen zyrtare të FFK-së. /Gazeta Express