BOTË NË TELASHE: Nga dhuna e karteleve në Meksikë dhe raketat në Lindjen e Mesme, te përplasjet për stadiumet dhe i nxehti përvëlues – brenda makthit të Kupës së Botës 2026 - Gazeta Express
string(168) "bote-ne-telashe-nga-dhuna-e-karteleve-ne-meksike-dhe-raketat-ne-lindjen-e-mesme-te-perplasjet-per-stadiumet-dhe-i-nxehti-pervelues-brenda-makthit-te-kupes-se-botes-2026"

Futboll

Gazeta Express

02/03/2026 11:00

BOTË NË TELASHE: Nga dhuna e karteleve në Meksikë dhe raketat në Lindjen e Mesme, te përplasjet për stadiumet dhe i nxehti përvëlues – brenda makthit të Kupës së Botës 2026

Futboll

Gazeta Express

02/03/2026 11:00

Mund të jetë kriza më e madhe në historinë e Kupës së Botës – dhe këtë herë askush nuk mund ta fajësojë presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino.

Me raketat që vazhdojnë të bien në Lindjen e Mesme pas sulmeve të udhëhequra nga SHBA dhe Izraeli ndaj Iranit, FIFA përballet me pyetje serioze se si mund të zhvillohet turneu sipas planit këtë verë.

Por problemet nuk kufizohen vetëm te pjesëmarrja e Iranit, shkruan tabloidi britanik “The Sun”, përcjell “Gazeta Express”.

Organizatorët po përballen me një sërë krizash: dhunë e udhëhequr nga kartelet në Meksikë (një nga vendet bashkëorganizatore), përplasje financiare në disa qytete amerikane, si dhe shqetësime për sigurinë dhe kontrollin e tifozëve të huaj që do të hyjnë në territorin amerikan.

Shtojini këtyre problemet me transportin, fushat e stadiumeve dhe kushtet klimatike – dhe tabloja bëhet një dhimbje koke gjigante për FIFA-n.

Me vetëm 100 ditë para nisjes së turneut më 11 qershor në Mexico City, komplikimet po shtohen.

IRANI – PO APO JO?

Asnjë kombëtare e kualifikuar nuk është përjashtuar ndonjëherë nga faza finale e një Kupe Bote.

Por nëse situata me Iranin nuk zgjidhet deri në qershor, FIFA mund të përballet me një precedent të padëshiruar historik.

Gjithçka mund të marrë një kthesë tjetër nëse vetë Federata iraniane vendos të tërhiqet.

Në atë rast, mund të përfitojë Iraku, që pritet të marrë pjesë në “play-off”-et interkontinentale këtë muaj në Meksikë.

Megjithatë, mbetet reale mundësia që qeveria amerikane ta refuzojë hyrjen e përfaqësueses së Republikës Islamike të Iranit në territorin e SHBA-së.

SIGURIA DHE TERRORIZMI

Shërbimet amerikane të sigurisë ishin tashmë në alarm të lartë, por ngjarjet e fundit në Lindjen e Mesme e kanë rritur frikën për akte hakmarrëse.

FIFA është përballur me situata të ngjashme edhe më parë, si pas Luftës së Gjirit, kur siguria për kombëtaret e SHBA-së dhe Anglisë në Japoni e Kore ishte maksimale.

Tani pritet një kontroll edhe më i ashpër për tifozët që kërkojnë të udhëtojnë drejt SHBA-së.

Madje sezonin e kaluar, disa tifozë të Portos u bllokuan për të udhëtuar në Kupën e Botës për Klube.

SIGURIA E TIFOZËVE

Dhuna e fundit e lidhur me kartelet në Meksikë, veçanërisht në Guadalajara, i ka shtuar shqetësimet.

Qeveria e Kanadasë – bashkëorganizatore – u ka rekomanduar qytetarëve të saj “kujdes të lartë” gjatë udhëtimit në Meksikë për shkak të nivelit të lartë të kriminalitetit dhe rrëmbimeve.

Në disa zona, banda të armatosura kanë bllokuar rrugë, ndërsa qytete amerikane janë ende të tensionuara pas protestave kundër operacioneve të autoriteteve të emigracionit (ICE).

Një përzierje e tensioneve sociale, vapës së verës dhe turmave të mëdha mund ta krijojë një situatë të rrezikshme.

STADIUMET DHE FUSHAT

Edhe pse kandidatura e përbashkët e SHBA-së, Kanadasë dhe Meksikës e fitoi të drejtën e organizimit para tetë vitesh, problemet vazhdojnë.

Në Foxborough (afër Bostonit), autoritetet lokale kanë refuzuar ta japin licencën e eventeve për “Gillette Stadium” pa një garanci prej 6 milionë funtesh për mbulimin e kostove.

FIFA ka premtuar se problemet me fushat që u shfaqën në Kupën e Botës për Klube nuk do të përsëriten.

Bari natyral duhet t’i zëvendësojë sipërfaqet artificiale në disa stadiume amerikane dhe në Vancouver të Kanadasë.

KUSHTET KLIMATIKE

Pas kritikave për nxehtësinë ekstreme dhe lagështinë që e bënë të vështirë zhvillimin e ndeshjeve verën e kaluar, FIFA ka marrë masa.

Shumë ndeshje pasdite do të zhvillohen në stadiume të mbyllura në Dallas, Houston dhe Los Angeles.

Do të ketë gjithashtu “pushime hidratuese” në mes të secilës pjesë – duke e kthyer praktikisht ndeshjen në “katër çerekë”.

Megjithatë, disa ndeshje do të luhen ende në ambiente të hapura, duke i lënë ato në mëshirën e motit.

Ligji amerikan gjithashtu e kërkon ndërprerjen e lojës për një orë nëse një stuhi me rrufe është brenda një rrezeje prej 10 miljesh nga stadiumi.

NJË BOTËROR MES PASIGURIVE

Nga raketat në Lindjen e Mesme te kartelet në Meksikë, nga përplasjet financiare te kushtet ekstreme të motit – Kupa e Botës 2026 po përballet me një seri sfidash të paprecedenta.

FIFA ka pak më shumë se tre muaj kohë për ta shmangur atë që mund të kthehet në një nga turnetë më problematikë në histori. /Gazeta Express

Advertisement
Advertisement
Advertisement