Como 1907 ka thelluar krizën e Juventus, duke e mposhtur në transfertë me rezultat 0-2 në kuadër të javës së 26-të në Serie A.
Skuadra e drejtuar nga Cesc Fàbregas zhvilloi një paraqitje shumë të disiplinuar dhe efikase, duke goditur në momentet kyçe të takimit.
Ndeshja u zhbllokua që në minutën e 11-të, kur Mërgim Vojvoda realizoi një gol të bukur. Mbrojtësi kosovar dribloi një kundërshtar dhe më pas lëshoi një goditje të fuqishme që përfundoi në rrjetë, duke heshtur tifozët vendas.
Juventusi pati mundësi të mirë për të barazuar me Loïs Openda, por tentativa e tij përfundoi jashtë portës. Kur pritej reagimi i bardhezinjve, Como goditi sërish. Në minutën e 61-të, Maxence Caqueret shënoi për 0-2 pas asistimit të Lucas Da Cunha, duke vulosur fatin e sfidës.
Nga ana tjetër, trajneri Luciano Spalletti nuk i dha asnjë minutë loje Edon Zhegrova, me futbollistin kosovar që qëndroi në stol gjatë gjithë takimit.
Pas kësaj fitoreje, Como renditet në vendin e gjashtë me 45 pikë, vetëm një më pak se Juventusi, që tashmë rrezikon seriozisht pozitat në zonën e Evropës. /GazetaExpress