Tottenham Hotspur tani ka tetë ndeshje radhazi në kampionat pa fitore, pasi u mposht 2-1 në shtëpi nga Newcastle United, duke rritur edhe më shumë presionin mbi trajnerin Thomas Frank.
Pas humbjeve zhgënjyese në fundjavë, presioni ishte i madh për të dyja skuadrat.
Ishin “Magpies” e Eddie Howe që reaguan më mirë, duke nisur fuqishëm dhe duke iu afruar golit të hershëm kur goditja e Joe Willock nga jashtë zone kaloi fare pranë shtyllës.
Frustrimi nisi të rritej te tifozët vendas në “Tottenham Hotspur Stadium”, dhe një prekje e bukur e Harvey Barnes, e ndalur nga Guglielmo Vicario, ishte sinjal se Newcastle nuk do të ndalej.
Afër fundit të pjesës së parë, Newcastle mendoi se kaloi në avantazh kur Willock realizoi bukur me një goditje me efekt në këndin e largët, por VAR anuloi gjithçka për një pozicion jashtë loje shumë të ngushtë.
Megjithatë, ky ishte vetëm një lehtësim i përkohshëm për Spurs, që pësuan në sekondat e fundit të pjesës së parë: Malick Thiaw goditi me kokë, Vicario priti fillimisht, por mbrojtësi reagoi më shpejt dhe shënoi në rikthim.
Spurs u përmirësuan në pjesën e dytë dhe krijuan dy raste të mira brenda 10 minutave: fillimisht Pape Matar Sarr detyroi Nick Pope në një pritje të mirë, ndërsa më pas zëvendësuesi Mathys Tel gjuajti mbi portë nga një pozicion i favorshëm.
Barazimi erdhi pak pas orës së lojës, kur Archie Gray shndërroi rolin nga asistues në golashënues duke reaguar më shpejt në zonë dhe duke dërguar topin në rrjetë.
Por “mallkimi” i fushës së tyre goditi sërish Spurs, pasi Anthony Gordon depërtoi në zonë dhe asistoi për Jacob Ramsey, i cili shënoi nga afërsia për 2-1.
Tottenham shtoi presionin në minutat e fundit në kërkim të barazimit, por mungesa e cilësisë në fazën përfundimtare rezultoi fatale.
Newcastle mori një fitore të rëndësishme që i dha fund serisë prej tri humbjesh dhe e riktheu në gjysmën e sipërme të tabelës, në vendin e 10-të me 36 pikë.
Ndërkohë, Tottenhami është i 16-ti me 29 pikë, tri më shumë se vendi që të dërgon në Championship./GazetaExpress/