Sulmuesi kosovar, Florent Hasani është larguar nga Boluspori dhe tashmë i është bashkuar rivalit të tij.
Hasani është zyrtarizuar te klubi i Amedsporit në ligën e parë të Turqisë, pak orë pas njoftimit të largimit nga Boluspori.
28-vjeçari ka nënshkruar kontratë me klubin e ri për një vit e gjysmë.
“Klubi ynë ka nënshkruar një kontratë profesionale futbolli për 1.5 vite me futbollistin profesionist Florent Hasani, i cili mbante veshur fanellën e Bolusporit. I urojmë mirëseardhje këtij transferimi për klubin tonë, lojtarin dhe komunitetin tonë, si dhe i dëshirojmë suksese futbollistit që do të garojë nën fanellën tonë”, ka shkruar Amedspori në “Facebook”.
Hasani i ishte bashkuar Bolusporit në janar të vitit të kaluar, ku kishte kaluar nga Rapidi i Bukureshtit.
Atë gjysmë sezon, në 18 ndeshje me klubin turk, Hasani kishte shënuar tetë gola dhe kishte dhënë një asistim.
Në gjysmën e parë të këtij sezoni me Bolusporin, sulmuesi shënoi 14 gola në 18 ndeshje, me tri asistime po ashtu.
Më herët në karrierë, Hasani ka luajtur për Tiranën, Gyirmot, Hapoel Kfar Saba, DVTK dhe Trepçën ’89./GazetaExpres/