Milani po përgatitet të udhëtojë drejt Arabisë Saudite për Superkupën e Italisë, e cila nis më vonë gjatë kësaj jave, dhe për shkak të disa problemeve me dëmtimet, Massimiliano Allegri ka vendosur të grumbullojë pesë lojtarë nga ekipi i të rinjve, përfshirë edhe Maximilian Ibrahimovic.
Napoli dhe Milani do të përballen mes vete në gjysmëfinalen e parë të Superkupës së Italisë të enjten në mbrëmje.
Më pas, të premten në mbrëmje, do të luhet gjysmëfinalja tjetër mes Bolognas dhe Interit, ndërsa finalja është planifikuar për të hënën në mbrëmje.
Të tri ndeshjet do të zhvillohen në Riad.
Milani dhe Napoli janë të dy të planifikuar të fluturojnë drejt Arabisë Saudite të martën.
Sipas “La Gazzetta dello Sport”, kuqezinjtë pritej të niseshin nga aeroporti i Malpensas rreth orës 15:00.
Santiago Gimenez nuk është pjesë e fluturimit, pasi vazhdon të ketë probleme me kyçin e këmbës.
Mattia Gabbia gjithashtu nuk është aktualisht në skuadër, megjithëse raportohet se ende ka shpresa që ai t’i bashkohet ekipit në Arabinë Saudite pas disa ditësh.
Allegri ka shfrytëzuar gjithashtu rastin për të përfshirë disa lojtarë të rinj në skuadrën për Superkupë.
Mes tyre është edhe 19-vjeçari Ibrahimovic, djali i legjendës Zlatan, i cili aktualisht punon si këshilltar i pronarëve të Milanit, “RedBird”.
Së bashku me Ibrahimovicin e ri janë grumbulluar edhe bashkëlojtarët e tij te Milan Futuro, Matteo Dutu (20 vjeç) dhe Valeri Vladimirov (17 vjeç).
18-vjeçari Emanuele Sala, mesfushor qendror, është ftuar nga skuadra Primavera, po ashtu edhe anësori 17-vjeçar Emanuele Borsani./GazetaExpress/