Në Turqi te Boluspor, Florent Hasani po jeton një nga periudhat më të mira të karrierës së tij. Me paraqitje bindëse, gola vendimtarë dhe një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në skuadër, ai po tregon se ka arritur pjekurinë e plotë si futbollist. Forma aktuale nuk është rastësi për të, por rezultat i një rrugëtimi të gjatë dhe plot sfida gjatë rrugës.
Hasani ka 13 gola dhe dy asistime në Ligën e Dytë të Turqisë, pas 16 ndeshjeve të zhvilluara.

I rritur dhe formuar në futbollin e Kosovës, Hasani e ndërtoi hap pas hapi identitetin e tij në fushë, duke mos u ndalur asnjëherë përballë vështirësive.
Rrugëtimi i tij kaloi përmes eksperiencave në Hungari, Izrael dhe Shqipëri, periudha që e forcuan si lojtar dhe si njeri, duke i dhënë dimensione të reja lojës së tij.
Sot, në Turqi, Florent Hasani duket më i qetë, më i sigurt dhe më i uritur se kurrë për sukses.
Një futbollist që nuk harron nga vjen, por që e di saktë se ku dëshiron të shkojë – derisa tash duket se është momenti ideal për ta treguar historinë e tij, me fjalët e vetë protagonistit.
Në një intervistë me “Gazetën Express”, Hasani ka folur për formën e tij, kohën e kaluar në skuadra të ndryshme dhe për të ardhmen e tij.
“Shifrat deri tani duken mirë besoj, tregojnë formën e mirë që po kaloj. Kam ardhur në një ambient ku ndjen respektin, vlerësimin e po ashtu nga ky sezon më është besuar edhe shiriti i kapitenit, që të jep motiv shtesë. Mendoj që është periudha më e mirë në karrierë sa i përket formës individuale, siç e ceka më heret, besoj rol të rëndësishëm ka ambienti ku ndihesh i vlerësuar”, tha ai fillimisht për “Express”.
Liga e Dytë e Turqisë shpesh nënvlerësohet, duke u llogaritur si një ligë jocilësore. Megjithatë, kështu nuk mendon Hasani, i cili luan aty me Boluspor.

“Për ata që se njohin mirë nënvlerësohet, por ata që e njohin dhe ata qe kanë luajtur këtu, e dijnë realisht se sa ligë e vështirë është dhe se çfarë klubesh ndodhen këtu, me buxhete marramendëse”, u shpreh ai.
Boluspor është i teti në tabelë, me 26 pikë të tubuara. Hasani thotë se kanë presion për t’u inkuadruar në Superligën e Turqisë.
“Presioni vetëm sa më motivon, tifozët kërkojnë Superligën dhe ky lloj presioni më jep motiv. Jemi në rrugë të mirë, besoj që mundemi edhe më mirë, ka shumë ndeshje përpara”, shtoi ai.
28-vjeçari ishte pjesë e Rapid Bukureshtit në Rumani, ku ishte bashkëlojtar me Albion Rrahmanin e Ermal Krasniqin për një kohë të shkurtër.
“Po është e vërtetë, dhe është shumë e rëndësishme, se kur ke dikë nga vendi yt afër, ambiemtimi dhe çdo gjë tjetër është më e lehtë”, tha ai.
Hasani u largua pas një vitin në kryeqytetin e Rumanisë, për t’iu bashkuar Bolusporit në janar të vitit 2025, pas ndërprerjes së kontratës.
Normalisht, edhe futbollistët, sikur çdo person tjetër bëjnë gabime. Disa në fushë, disa jashtë saj. Hasani tha se një jashtë fushës e kishte bërë kur ishte transferuar në Izrael.
“Mendoj se në Izrael ka qenë e vështirë, ka qenë gabim i karrierës sime që vendosa të shkoj aty, duke pas parasysh që e perjetova edhe gjendjen e luftës dhe në mundësinë e pare, u tërhoqa”, tha Hasani.

Është normale kur largohesh nga vendi që je lindur dhe rritur të ndihesh i mërzitur dhe i rëndë emocionalisht. Kështu ishte ndjerë Florenti kur kaloi në Hungari nga Trepça ’89. Megjithatë ai bëri me dije se e kishte mposhtur këtë ndjenjë dhe nuk ishte dorëzuar.
“Momente vetmie apo dyshimi kam pasur në fillim kur kalova nga Trepça ’89 për në Hungari, por që me kohën mësohesh, adaptohesh dhe e kupton që ndodhesh aty për një qëllim të caktuar”, u shpreh Hasani.
Hasani i mori hapat e parë si futbollist në Kosovë, duke luajtur fillimisht te Vushtrria dhe pastaj te Trepça ’89.
“Normalisht që rruga e vështirë në futbollin e Kosovës të bëjnë më të fortë, sidomos mentalisht qe kur ndodhesh diku jashtë, mos të dorëzohesh duke menduar qëllimin se për çka je aty”, bëri me dije ai.
Në fund, edhe pse ai potencoi që ndihet i lumtur dhe i vlerësuar te Boluspori, Hasani tha se ka oferta në drejtim të tij, dhe bëri me dije se gjithçka mund të ndodhë në futboll.
“Kanë ardhur shumë interesime në adresë të klubit, po për çdo gjë mbetet të shihet në janar, ngase futbollit kurrë nuk i dihet”, përfundoi ai./GazetaExpress/