Shqetësimet po rriten para Kupës së Botës së verës së ardhshme pasi qindra thasë me mbetje njerëzore janë gjetur pranë “Stadiumit Akron” në shtetin meksikan të Jaliscos.
Kupa e Botës do të organizohet bashkërisht nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Meksika, ndërsa “Stadiumi Akron” është planifikuar të presë katër ndeshje të fazës së grupeve.
Ndër ato ndeshje do të jetë edhe e dyta e Meksikës në grup, e cila do të konfirmohet të premten kur të bëhet shorti i Kupës së Botës.
Stadiumi, që është shtëpia e Chivas de Guadalajara, pritet gjithashtu të presë play-offet ndër-konfederatash në mars.
Kaledonia e Re do të përballet me Xhamajkën në gjysmëfinale, dhe fituesi do të luajë ndaj DR Kongos për një vend në finalet e Kupës së Botës.
Megjithatë, frika është rritur javët e fundit për Jaliscon si qytet pritës, pas zbulimit të mëtejshëm të mbetjeve njerëzore në shtator.
Që nga viti 2022, më shumë se 456 thasë që përmbanin mbetje njerëzore janë gjetur në zonat përreth “Stadiumit Akron”.
Sipas “Latin Times”, José Raúl Servin García, një anëtar i kolektivit lokal të kërkimit, tha se zbulimi më i fundit u bë gjatë punimeve të ndërtimit për një kompleks të ri banimi.
Një nga zonat më të prekura është Las Agujas, ku punëtorët e ndërtimit gjetën 290 thasë.
Kjo zonë është pak më shumë se 20 kilometra larg “Stadiumit Akron”.
Zbulime janë bërë gjithashtu në Zapopan, më pak se 10 km nga stadiumi, dhe në Tlaquepaque, rreth 20 km larg.
Servin García tha: “Tani jemi rreth 456 thasë, më shumë a më pak, dhe e gjithë kjo është pranë ‘Stadiumit Akron’, i cili është stadium që do të presë ndeshje të Kupës së Botës. Për fat të keq, është e dhimbshme që një Kupë Bote do të zhvillohet këtu ndërsa ka kaq shumë të këqija.”
Kolektivet kërkuese kanë konfirmuar se grupet kriminale lidhen me trupat, ndërsa Jalisco është shtëpia e një prej karteleve më të fuqishme të Meksikës.
Karteli i Gjeneratës së Re të Jaliscos, i cili operon në shtet, është shpallur si organizatë terroriste nga Presidenti Donald Trump.
Ai konsiderohet gjerësisht si një nga kartelet më të fuqishme në Meksikë dhe sipas firmës së analizës gjeopolitike Stratfor, është “karteli më agresiv i vendit”.
Më herët këtë vit, mijëra meksikanë marshuan për të tërhequr vëmendjen ndaj më shumë se 130,000 personave të raportuar të zhdukur në nivel kombëtar, shumica që nga koha kur ish-presidenti Felipe Calderon nisi “luftën ndaj drogës”.
Jalisco kryeson të gjitha shtetet e Meksikës për numrin e zhdukjeve dhe renditet ndër katër më problematikët sa i përket nivelit të përgjithshëm të krimit.
Sipas Komisionit Kombëtar të Kërkimit të Meksikës, 7,376 persona u zhdukën në Jalisco midis viteve 2009 dhe 2018.
Situata është përkeqësuar që atëherë, me edhe 9,593 zhdukje të tjera të raportuara mes viteve 2018 dhe 2021, duke e bërë atë një nga shtetet më të goditura në vend.
Me zhdukjet që po rriten, po shtrohen pyetje nëse shteti është i përgatitur siç duhet për të pritur ndeshjet e Kupës së Botës brenda pak më shumë se gjashtë muajsh.
Autoritetet kanë njoftuar një sërë masash të shtuara sigurie, përfshirë 3,000 kamera shtesë survejimi, automjete të blinduara, detektorë metali dhe dislokime të Gardës Kombëtare./GazetaExpress/