Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka deklaruar se qeveria e tij disponon prova që Rusia ka rrëmbyer fëmijë ukrainas dhe po i stërvit ata për të luftuar kundër bashkëkombësve të tyre, një akuzë e rëndë që mund të përbëjë krim lufte sipas standardeve ndërkombëtare.
Në një intervistë për CBS News, Zelensky tha se kjo është hera e parë që ai e bën publike një akuzë të tillë, duke shkuar përtej pretendimeve të mëparshme për deportimin e fëmijëve ukrainas në kampe riedukimi.
“Kur këta fëmijë rriten, i dërgojnë në fushën e betejës”, deklaroi Zelensky, duke shtuar se autoritetet ukrainase disponojnë prova për këto pretendime, megjithëse nuk dha detaje mbi natyrën e tyre.
Sipas presidentit ukrainas, fëmijëve të larguar nga territoret ukrainase u mësohet të urrejnë vendin dhe popullin e tyre. “I mësojnë këta fëmijë të urrejnë vendin e tyre, të urrejnë popullin e tyre”, u shpreh ai.
Zelensky tha gjithashtu se Ukraina ka dokumentuar rrëmbimin e të paktën 20 mijë fëmijëve ukrainas dhe po kërkon mbështetje ndërkombëtare për të gjetur të tjerë që dyshohet se janë transferuar në territorin rus.