Edgar MORIN: Filozofi që kërkoi të shpëtojë njerëzoren - Gazeta Express
string(53) "edgar-morin-filozofi-qe-kerkoi-te-shpetoje-njerezoren"

OP/ED

Gazeta Express

01/06/2026 8:33

Edgar MORIN: Filozofi që kërkoi të shpëtojë njerëzoren

OP/ED

Gazeta Express

01/06/2026 8:33

Shkruan: Suadela Balliu

Vdekja e filozofit dhe sociologut francez Edgar Morin në moshën 104-vjeçare shënon largimin e një prej mendjeve më të rëndësishme të shekullit XX dhe fillimit të shekullit XXI. Për Francën ai ishte shumë më tepër sesa një akademik: ishte një figurë morale, një intelektual publik dhe një zë kritik që për dekada të tëra u përpoq të kuptonte njeriun modern, krizën e qytetërimit dhe mundësinë e mbijetesës së njerëzimit në një botë gjithnjë e më të fragmentuar.

Gazeta franceze Libération e kishte quajtur dikur “gjyshi i gjithë francezëve dhe kujtesa e shekullit XX”. Në të vërtetë, jeta e Morin-it përfshiu pothuajse të gjitha dramat dhe shpresat e epokës moderne: Luftën e Dytë Botërore, rezistencën kundër nazizmit, përplasjet ideologjike të shekullit të kaluar, lindjen e globalizimit, krizën ekologjike dhe trazirat politike të kohëve tona.

I lindur në Paris në vitin 1921 me emrin Edgar Nahoum, në një familje hebrenjsh të ardhur nga Greqia, ai do të mbante gjatë gjithë jetës një identitet të shumëfishtë. Nuk pranonte të përkufizohej vetëm si hebre; ai thoshte se ishte njëkohësisht francez, mesdhetar dhe qytetar i botës. Humbja e nënës kur ishte vetëm dhjetë vjeç do të linte një plagë të thellë në jetën e tij. Vetë Morin e përshkruante atë moment si “Hiroshima ime personale”.

IN MEMORIAM/ Edgar MORIN: Filozofi që kërkoi të

Në rininë e hershme ai iu bashkua lëvizjeve të majta dhe më pas Rezistencës Franceze kundër pushtimit nazist. Pikërisht gjatë asaj periudhe mori pseudonimin “Morin”, emër që do ta shoqëronte për pjesën tjetër të jetës. Përvoja e luftës dhe zhgënjimi i mëvonshëm me dogmat ideologjike e shtynë të zhvillonte një mosbesim të thellë ndaj çdo forme fanatizmi politik. Ai u nda nga Partia Komuniste Franceze në vitin 1951 dhe prej asaj kohe mbrojti idenë se mendimi duhet të mbetet gjithmonë kritik dhe i lirë.

Edgar Morin nuk ishte një filozof tradicional. Ai e quante veten “humanolog”, sepse përpiqej të bashkonte filozofinë, sociologjinë, biologjinë, antropologjinë dhe psikologjinë për të kuptuar natyrën njerëzore. Në qendër të gjithë veprës së tij qëndronte ideja e “mendimit kompleks”: bindja se problemet e mëdha të njerëzimit nuk mund të kuptohen duke i ndarë në copa të izoluara. Për Morin-in, gjithçka ishte e lidhur: politika me ekonominë, kultura me ekologjinë, individi me komunitetin, shkenca me etika.

Ai u bë i njohur edhe jashtë botës akademike si një nga pionierët e “cinéma vérité”, falë dokumentarit “Chronique d’un été”, realizuar në vitin 1961 me regjisorin Jean Rouch. Filmi revolucionarizoi dokumentarin modern duke sjellë biseda spontane me njerëz të zakonshëm mbi lumturinë, racën, klasën sociale dhe jetën e përditshme. Një pyetje e thjeshtë — “A jeni të lumtur?” — mjaftoi për të nxjerrë në pah ankthin dhe boshllëkun e shoqërisë moderne.

Në dekadat e fundit të jetës, Morin u kthye në një kritik të fortë të kapitalizmit të pakontrolluar dhe degradimit ekologjik. Shumë përpara se ndryshimet klimatike të bëheshin pjesë e debatit të përditshëm, ai paralajmëronte se zhvillimi ekonomik i bazuar vetëm te fitimi po e çonte planetin drejt katastrofës. Ai besonte se njerëzimi kishte humbur ndjesinë e solidaritetit dhe të bashkëjetesës.

Në një intervistë të gjatë për gazetën spanjolle EL PAÍS në vitin 2023, kur ishte 101 vjeç, Morin foli me një kthjelltësi mbresëlënëse për jetën dhe vdekjen. Ai dukej fizikisht i lodhur, por sapo fillonte të fliste, energjia e mendimit e transformonte. Për të, aktiviteti intelektual ishte një mënyrë për të qëndruar gjallë.

“Ndërsa jam i pushtuar nga forcat e jetës, pjesëmarrja, kurioziteti dhe veprimi, hija e vdekjes tërhiqet”, thoshte ai.

Në atë intervistë, Morin shprehte ankth për të ardhmen e njerëzimit. Sipas tij, bota po hynte në një periudhë regresi politik, rritjeje të pabarazive dhe dobësimi të demokracisë. Ai fliste për rrezikun e neo-autoritarizmit, për triumfin e egoizmit dhe për shkatërrimin gradual të lidhjeve njerëzore.

Megjithatë, ai nuk ishte fatalist. Besonte se historia ka gjithmonë të papritura dhe se njeriu duhet të ruajë aftësinë për shpresë. Në mendimin e tij, mënyra më e mirë për t’i rezistuar krizës së qytetërimit ishte kultivimi i asaj që ai e quante “poezia e jetës”.

Morin bënte dallimin mes “prozës” dhe “poezisë” së ekzistencës. Proza ishte rutina e përditshme, puna mekanike, detyrimet dhe lodhja. Poezia ishte dashuria, miqësia, arti, emocionet dhe çastet kur njeriu ndihet vërtet i gjallë. Sipas tij, shoqëria moderne po e shtypte gjithnjë e më shumë këtë dimension poetik të jetës.

“Secili prej nesh duhet të kultivojë pjesën poetike të jetës, sepse kjo është të jetuarit; pjesa tjetër është vetëm mbijetesë”, shprehej ai.

Në Francë, Morin mbeti deri në fund një figurë publike me ndikim. Edhe pas të njëqindtave vazhdonte të shkruante libra, të komentonte zhvillimet botërore dhe të ndërhynte në debatet publike. Ai kritikoi luftën në Ukrainë, nacionalizmat agresive, krizën morale të Europës dhe indiferencën ndaj katastrofës klimatike. Për shumëkënd, ai ishte një ndër zërat e fundit të brezit të madh të intelektualëve europianë që e shihnin mendimin si përgjegjësi publike.

Edhe në Shqipëri, mendimi i Edgar Morin-it ka gjetur jehonë. Një nga librat e tij më të rëndësishëm, “Shtatë dijet e nevojshme për edukimin e së ardhmes”, është botuar në shqip nga UET Press. Vepra paraqet një reflektim të thellë mbi dijen, edukimin dhe krizën e qytetërimit modern, duke argumentuar se vetëm një edukim më human dhe më kompleks mund ta ndihmojë njerëzimin të shmangë vetëshkatërrimin. Libri është konsideruar si një nga tekstet më të rëndësishme bashkëkohore mbi raportin mes dijes dhe përgjegjësisë njerëzore.

Në fund të jetës së tij, Edgar Morin vazhdonte të mendonte se njeriu është një qenie kontradiktore: egoiste dhe solidarizuese, e aftë për barbarizëm por edhe për dashuri e krijim. Pikërisht kjo kontradiktë e bënte atë të mos humbiste shpresën.

Duke cituar poetin gjerman Friedrich Hölderlin, ai përsëriste shpesh: “Aty ku rritet rreziku, rritet edhe forca që shpëton.”

Ndoshta kjo fjali përmbledh më mirë gjithë filozofinë e tij: bindjen se, edhe në kohët më të errëta, njerëzimi mund të gjejë ende brenda vetes energjinë për të mos u dorëzuar.

Advertisement
Advertisement
Advertisement