Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, përmes një postimi emocionues, ka shpallur arritjen historike të Kombëtares së Kosovës, që tashmë është pjesë e play-off-it të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
“U zgjuam nga gjumi, por jo nga ëndrra! Sot Kosova është pjesë e play-off-it, vetëm 9 vjet pasi u pranuam në UEFA dhe FIFA,” shkruan Ademi, përcjell Gazeta Express.
Ai e përshkruan këtë sukses si një mrekulli që lindi nga zemra, karakteri dhe sakrifica e futbollistëve dardanë, të cilët e ngritën vendin në lartësi që pak e besonin të mundshme.
Kryetari i FFK-së u shpreh se, megjithëse të martën Kosova përballet me Zvicrën, që ka siguruar vendin e parë dhe kualifikimin direkt, ekipi dardan synon të tregojë forcën dhe moralin e tij, duke dëshmuar se meriton të jetë në Botëror.
Ademi falënderoi stafin e Kombëtares, futbollistët, stafin teknik dhe mjekësor, tifozët “Dardanët” dhe të gjithë bashkatdhetarët që mbështesin ekipin në çdo hap.
Ai vlerësoi gjithashtu kontributin e atyre që punuan për futbollin e Kosovës në dekada të tëra dhe nderoi ata që nuk janë më mes nesh.
“Jemi bërë histori suksesi, të vlerësuar nga UEFA dhe FIFA për progresin dhe rezultatet e arritura në vetëm 9 vite. Bashkë deri në fund. Deri në Botëror. Deri në Amerikë. Forca Kosovë!,” përfundon Ademi.
Ky është një lajm historik për futbollin kosovar dhe një motivim i madh për të gjithë qytetarët dhe tifozët që presin të shohin Kosovën të shkëlqejë në skenën më të madhe ndërkombëtare. /GazetaExpress/