Aktori i njohur shkakton reagime të forta në rrjete sociale, pasi pozoi me një aktore e veshur si ish-partnerja e tij në Halloween.
Aktori i famshëm Orlando Bloom është futur në qendër të kritikave pas publikimit të një fotografie në rrjetet sociale, e cila është interpretuar nga fansat si një thumb i hapur ndaj ish-partneres së tij, këngëtares Katy Perry.
Në imazh, Bloom, 48 vjeç, shfaqet i buzëqeshur pranë aktores Rachel Lynn Matthews, e cila për Halloween ishte veshur pikërisht si Katy Perry. Kostumi i saj ishte një riprodhim i veshjes blu që këngëtarja mbante gjatë udhëtimit të saj në hapësirë me “Blue Origin”, përfshirë paruken e zezë dhe elementët e tjerë karakteristikë.
Rachel madje imitoi edhe një nga momentet më të komentuara të Katy-t — atë kur ajo, pas kthimit nga hapësira, u ul në tokë dhe e puthi me emocion. Ajo e përsëriti skenën dhe e shoqëroi me mbishkrimin ironik: “Take up space!” (“Zë vendin tënd!”).

Ky gjest u konsiderua nga publiku si një tallje e drejtpërdrejtë me artisten, ndërsa fakti që Orlando Bloom pozoi me të, shtoi dyshimet se aktori mund ta ketë aprovuar në mënyrë të tërthortë këtë humor.
“Kjo është shumë e pavend, sidomos kur ai do të vazhdojë të bashkëprindërojë me të,” shkruajti një përdorues në Reddit.
“Krejtësisht pa shije dhe pa respekt,” shtoi një tjetër.
Çfarë ndodhi mes tyre?
Marrëdhënia nëntëvjeçare mes Bloom dhe Perry përfundoi në korrik të këtij viti. Dyshja kanë një vajzë pesëvjeçare, Daisy Dove, dhe janë përpjekur ta mbajnë marrëdhënien pas ndarjes sa më të qëndrueshme për hir të prindërimit të përbashkët.
Ndërkohë, Katy Perry ka qenë në qendër të vëmendjes për shkak të një romance të re të përfolur me ish-kryeministrin kanadez Justin Trudeau, me të cilin është parë duke u puthur në një jaht në brigjet e Kalifornisë.
Nga ana tjetër, Orlando Bloom është fotografuar disa herë me një grua misterioze brune në Chelsea, por ai vijon të mbajë profil të ulët për jetën e tij private.
Situata e fundit ka ndezur diskutime në rrjet: Ishte thjesht një shaka e pafajshme apo një provokim i menduar?
Publiku mbetet i ndarë — dhe as Orlando Bloom, as Katy Perry nuk kanë reaguar deri më tani. /GazetaExpress/