Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës ka vendosur që afati i fundit për licencimin e klubeve në basketboll është deri më 25 shtator.
FBK-ja njofton tutje se ky vendim e ka për qëllim përcaktimin e afatit të fundit për përmbushjen e kritereve të licencimit nga klubet anëtare të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), në kuadër të përgatitjes për sezonin e ri garues 2025/26.
“Duke u bazuar në propozimin e Sekretares së Përgjithshme, znj. Elvira Dushku, dhe pas shqyrtimit nga anëtarët e Bordit të FBK-së,
Vendim i Bordit të FBK-së i datës 18 shtator për procesin e licencimit të klubeve për sezonin 2025/26
Qëllimi
Ky vendim ka për qëllim përcaktimin e afatit të fundit për përmbushjen e kritereve të licencimit nga klubet anëtare të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), në kuadër të përgatitjes për sezonin e ri garues 2025/26.
Duke u bazuar në propozimin e Sekretares së Përgjithshme, znj. Elvira Dushku, dhe pas shqyrtimit nga anëtarët e Bordit të FBK-së,
BORDI VENDOSI:
Afati i fundit për dorëzimin e dokumentacionit
Të gjitha klubet që deri më sot nuk e kanë përmbushur dokumentacionin e kërkuar për licencim obligohen që të dorëzojnë dokumentet brenda një afati 5 ditë pune nga data e këtij vendimi (25.09.2025).
Pas këtij afati, klubet që ende nuk i kanë plotësuar kriteret nuk do të kenë mundësi të marrin licencën dhe, si rrjedhojë, nuk do të përfshihen në garat e sezonit 2025/26.
Parimet e vendimit
Ky vendim bazohet në parimet e:
Barazisë dhe korrektësisë, duke trajtuar në mënyrë të barabartë të gjitha klubet;
Transparencës, duke ofruar afat të qartë dhe të fundit për përmbushjen e kritereve;
Integritetit të garës, duke siguruar që vetëm klubet që i plotësojnë standardet minimale të marrin pjesë në kampionate.
Zbatimi
Zbatimin e këtij vendimi e bën Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së.
Vendimi hyn në fuqi ditën e miratimit nga Bordi i FBK-së.