Tragjedi në Indi: Tenistja 25 vjeçare vritet nga babai i saj - Gazeta Express
string(59) "tragjedi-ne-indi-tenistja-25-vjecare-vritet-nga-babai-i-saj"

Sporte tjera

Gazeta Express

11/07/2025 14:54

Tragjedi në Indi: Tenistja 25 vjeçare vritet nga babai i saj

Sporte tjera

Gazeta Express

11/07/2025 14:54

Një ngjarje tronditëse ka tronditur komunitetin sportiv indian: Radhika Yadav, ish-tenistja 25-vjeçare dhe trajnere e njohur, u qëllua për vdekje nga babai i saj, Deepak Yadav, në banesën e familjes në Gurugram, të enjten pasdite.

Policia e Gurugramit konfirmoi se një spital privat në qytet kishte raportuar për një të re që kishte humbur jetën si pasojë e plagëve me armë zjarri. Kur policia mbërriti në spital, prindërit e saj nuk gjendeshin aty – vetëm xhaxhai i viktimës, Kuldeep Yadav, i cili bëri edhe kallëzimin penal për vrasje në stacionin e policisë në Sektorin 56 të Gurugramit.

Sipas kallëzimit, shkak i tragjedisë dyshohet të jetë mospajtimi i vazhdueshëm mes Radhikës dhe babait të saj, i cili kishte kundërshtuar ashpër që ajo të vazhdonte aktivitetin si trajnere tenisi në akademinë e saj private në qytet.

Sipas të dhënave të Federatës Ndërkombëtare të Tenisit (ITF), Radhika kishte zhvilluar 36 ndeshje teke dhe 7 dyshe në kuadër të turneve ITF. Ajo kishte luajtur për herë të fundit në mars të vitit 2024 në teke dhe në qershor 2023 në dyshe, përpara se të përqendrohej tërësisht tek akademia e saj si trajnere.

Sipas policisë, motivi i vrasjes lidhet me presionin që Deepak Yadav përjetonte nga komentet e fqinjëve dhe të njohurve, të cilët e tallnin duke i kujtuar se familja jetonte nga të ardhurat e vajzës.

“Ai ishte shqetësuar prej kohësh sepse disa banorë të zonës e tallnin për faktin që shtëpia mbahej nga të ardhurat e vajzës së tij dhe se ai ishte shumë i varur prej saj. Ai i kishte kërkuar asaj disa herë ta mbyllte akademinë, por ajo nuk pranoi. Ai nuk mundi ta përballonte më,” deklaroi inspektori Vinod Kumar për The Indian Express.

Policia bëri të ditur se burimi i vetëm i të ardhurave të Deepak Yadav ishin qiratë e disa pronave të vogla.

Sipas NDTV, vetë Deepak ka pranuar para policisë se e ka qëlluar të bijën tri herë nga pas, pasi ajo refuzoi sërish të mbyllte akademinë.