Kurti arrin në Presidencë për takim me Osmanin - Gazeta Express
string(47) "kurti-arrin-ne-presidence-per-1takim-me-osmanin"

Lajme

Gazeta Express

02/07/2025 10:11

Kurti arrin në Presidencë për takim me Osmanin

Lajme

Gazeta Express

02/07/2025 10:11

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka arritur në Presidencë për takim me presidenten Vjosa Osmani.

Osmani fillimisht do të presë Kurtin në takim më pas liderët e partive të tjera parlamentare në përpjekjen e dytë të saj për zgjidhje të ngërçit të krijuar në Kuvend.

Takimin te Osmani e kanë konfirmuar edhe partitë e tjera, ndërsa këto takime pritet të zgjasin deri në ora 16:00.

Ndryshe nga hera e kaluar kur presidentja kishte pritur në një takim të përbashkët me liderët e partive të shumicës shqiptare më 15 maj dhe më pas ata liderët e partive nga komunitetet joshumicë, këtë herë Osmani i takon ata ndaras.

Këto përpjekje të Osmanit vijnë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila obligoi deputetët e Kuvendit që të konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditësh.

Megjithatë, skenari i njëjtë ka vazhduar në Kuvend edhe pas këtij aktgjykimi. Dje për të 40-ën herë dështoi konstituimi.  

Partia e parë që doli nga zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje po insiston se Kushtetuesja iu dha të drejtë atyre në opsionin për hedhjen në votim të komisionit për votim të fshehtë, ndërsa partitë tjera thonë se Kushtetuesja ka qenë e qartë që kryetari i Kuvendit duhet të zgjidhet me votim të hapur./Express/