Kosova është gati për një tjetër sfidë të madhe në sportin që e ka ngritur në piedestalet botërore: xhudon.
Kampionati Botëror për Seniorë, një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit në këtë sport, nis sot në Budapest dhe do të zgjasë deri më 20 qershor.
Në këtë arenë prestigjioze, ku do të garojnë 557 xhudistë nga 93 shtete të gjashtë kontinenteve, Kosova përfaqësohet me tre prej emrave më të spikatur të skenës ndërkombëtare: Distria Krasniqi në kategorinë -52 kg, Laura Fazliu në -63 kg dhe Akil Gjakova në BHJB-73 kg.
Distria Krasniqi, kampione olimpike, do të garojë të shtunën. Akil Gjakova, kampion evropian, do të ngjitet në tatami të dielën, ndërsa Laura Fazliu, nënkampione evropiane, do të garojë të hënën.
Delegacioni i Kosovës udhëhiqet nga kryetrajneri Driton Kuka, figura që ka transformuar sportin e xhudos në vend, i mbështetur nga trajneri Fatos Tabaku dhe Majlinda Kelmendi – legjenda e xhudos kosovare që tani po formon kampionët e rinj nga prapaskena.
Për Kosovën, kjo është një tjetër mundësi për të dëshmuar se një shtet i vogël mund të prodhojë talent të madh dhe të konkurrojë denjësisht me më të mirët e globit.
Xhudistët kosovarë, të përgatitur me profesionalizëm dhe pasion, janë gati të shkruajnë një kapitull të ri në historinë e sportit tonë.