string(76) "agk-denon-sulmet-dhe-kercenimet-ndaj-gazetareve-agon-fehmiu-dhe-ulpiana-emra"

Basketboll

Gazeta Express

21/05/2025 18:15

AGK dënon sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve Agon Fehmiu dhe Ulpiana Emra

Basketboll

Gazeta Express

21/05/2025 18:15

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar me shqetësim të thellë ndaj rasteve të raportuara të sulmeve, ofendimeve dhe kërcënimeve të vazhdueshme që u janë bërë komentatorëve sportivë Agon Fehmiu dhe Ulpiana Emra gjatë serisë finale të Superligës së Kosovës në basketboll, ndërmjet KB Bashkimi dhe KB Trepça.

Sipas informacioneve të bëra publike nga AsistOnline, komentatorët Fehmiu dhe Emra janë përballur me sjellje të dhunshme nga ana e tifozëve gjatë kryerjes së detyrave të tyre profesionale.

Në incidentin e parë, i ndodhur në Prizren, komentatori Agon Fehmiu është goditur në shpinë nga një shishe gjysmë e mbushur me ujë, e hedhur nga tribuna gjatë tensioneve që pasuan suspendimin e lojtarit të KB Bashkimi, Michael Myers. Ky akt ndodhi në një moment kur atmosfera në palestër ishte e tensionuar dhe nuk kishte siguri të mjaftueshme për të garantuar mbrojtjen e gazetarëve në vendin e punës.

Ndërkohë, më 14 maj, në finalen e katërt të zhvilluar në Mitrovicë, gazetarja Ulpiana Emra është përballur me një tjetër akt shqetësues. Në përpjekje për të realizuar intervista pas ndeshjes, një shikues ka goditur pleksiglasin që ndante tribunat nga zona e fushës, duke e goditur njëkohësisht edhe gazetaren. Fatmirësisht, Emra nuk ka pësuar lëndime fizike, por incidenti ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë e gazetarëve sportivë.

AGK ka dënuar ashpër këto sulme, duke i cilësuar si të papranueshme dhe të patolerueshme. Në deklaratën zyrtare, Asociacioni thekson se “gazetarët nuk duhet në asnjë mënyrë të pengohen për të kryer punën e tyre, e cila është në shërbim të publikut dhe transparencës.”

AGK i bën thirrje dy klubeve finaliste që të marrin masa konkrete për garantimin e kushteve normale të punës për komentatorët dhe gazetarët në ambientet sportive. Përveç kësaj, Policia e Kosovës ftohet që të nisë hetimet për rastet e kërcënimeve, ndërsa Prokuroria të ndërmarrë masa të menjëhershme për identifikimin dhe ndëshkimin e autorëve të këtyre veprave.