New York Knicks kanë eliminuar kampionët në fuqi të NBA-së, Boston Celtics, nga play-off-et me një fitore të thellë 119-81, duke siguruar kualifikimin për në finalen e Konferencës së Lindjes për herë të parë pas 25 vitesh.
Jalen Brunson dhe OG Anunoby udhëhoqën skuadrën me nga 23 pikë secili, ndërsa Knicks përfunduan serinë me rezultat 4-2, duke u përballur tani me Indiana Pacers, që janë të katërtit në renditje, për një vend në finalen e madhe të NBA-së.
Ndeshja e parë e serisë me shtatë takime do të zhvillohet në shtëpinë e Knicks.
Plot gjashtë lojtarë të Knicks e mbyllën ndeshjen me pikë dyshifrore, ndërsa fitorja me 38 pikë diferencë është fitorja më e thellë në historinë e play-off-eve për këtë skuadër.
Mikal Bridges realizoi katër trepikësha dhe përfundoi me 22 pikë, Karl-Anthony Towns shtoi 21 pikë, ndërsa Josh Hart regjistroi një triple-double me 10 pikë, 11 kërcime dhe 11 asistime.
Celtics, që humbën yllin Jayson Tatum për shkak të një këputjeje të tendinit të Akilit në këmbën e djathtë në ndeshjen e katërt – dëmtim që pritet ta mbajë jashtë fushës për rreth nëntë muaj – kishin ringjallur shpresat pas fitores në ndeshjen e pestë.
Por përballë një Madison Square Garden të mbushur plot, me praninë e yjeve si Timothée Chalamet, Lenny Kravitz, Ben Stiller dhe Spike Lee, Knicks nuk treguan mëshirë.
Ata mbyllën çerekun e parë me epërsi 26-20, por goditjen më të fortë e dhanë në çerekun e dytë, duke shënuar 38 pikë ndaj 17 të Celtics, dhe shkuan në pushim me epërsi 64-37, duke e mbyllur praktikisht ndeshjen që në pjesën e parë.
Jaylen Brown ishte më i miri për Celtics me 20 pikë, Al Horford shtoi 10 pikë, ndërsa Payton Pritchard përfundoi me 11 pikë.
Derrick White, që kishte shënuar 34 pikë në ndeshjen e pestë, këtë herë u ndal vetëm në 8 pikë.