Xhamia e Namazgjasë në Tiranë u përurua sot në një ceremoni të veçantë ku ishte i pranishëm edhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan dhe kryeministri i |Shqipërisë Edi Rama. Një lajm të shumëpritur nga komuniteti mysliman e vlerësoi kryeministri Edi Rama çeljen e kësaj xhamie.
“Ja ku erdhi dita e çeljes së këtij tempulli të adhurimit të krijuesit të botëve, kaq i shumëpritur nga komuniteti mysliman në rrjedhën e viteve për aq shumë arsye. Kjo faltore që frymo nga një besim universal, Xhamia e Madhe e Namazgjasë, është tanimë trashëgimia e një popullit të tërë, e cila mishëron atë që Profeti, paqja e Zotit qoftë mbi të, ka thënë për veten: ‘Unë jam lutja e Ibrahimit, sihariqi i saj dhe ëndrra e nënës time’”, tha Rama në fjalën e tij.
Ai solli në vëmendje pikënisjen e ndërtimit të kësaj xhamie në nëntor të vitit 2014.
“Ky sihariq i veçantë i përurimit të saj, fryt i lutjeve e përpjekjeve të bashkëkombësave tanë të besimit islam dhe i dashamirësisë së vëllezërve të tyre bashkëbesimtarë nga Turqia të cilët i falënderoj me mirënjohje, më çon pas në 14 nëntor të vitit 2014, 10 vite më parë kur fillesën e kësaj pune të bekuar në shërbim të komunitetit mysliman shqiptar e pata quajtur si çlirimi i Namazgjasë. Nuk e harroj dot se sa vullnet i mirë u desh për ta pastruar truallin e Namazgjasë të kthyer në një shesh pazari të imponuar në hapësirën e lutjeve, shpresës dhe nevojës së besimtarëve myslimanë për të pasur atë dhe ata tempullin e tyre qendror në kryeqytetin e Shqipërisë njësoj si bashkëkombasit dhe vëllezërit e tyre të besimit katolik, ortodoks apo bektashinj”, tha Rama
Gjatë fjalës së tij Presidenti turk, Erdogan gjatë fjalës së tij theksoi se ky objekt është simbol i miqësisë dhe i solidaritetit mes dy vendeve.
“Xhamia është ndërtuar jo vetëm si një objekt kulti, ibadeti dhe adhurimi, por është multifunksional për të cilët do t;u shërbejë besimtarëve, kompleks social ka salla konferencash, bibliotekë, dhoma studimi, ashensorë për ata me aftësi të kufizuar. Xhamia do të jetë simbol i miqësisë, vëllazërisë dhe i solidaritetit mes nesh.
Në mesin tuaj dua të përgëzoj të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë vepër që do të mahnisë të gjithë ata që e shikojnë, sidomos me qetësi shpirtërore. Kanë dhënë një shembull për mbarë komunitetin ndërkombëtar në goditjen nga tërmeti. Njëra nga veprat më bazike të këtij solidariteti shumë të sinqertë ka qenë spitali i ndërtuar në qytetin e Fierit, si dhe rezidencat e ndërtuara në qytetin e Laçit. Xhami ekziston në qendër të civilizimit dhe themelet e qytetërimit”, shtoi ai.
Më tej Erdogan tha se kjo vepër madhështore për shqiptarët dhe gjithë myslimanët do të jetë më e madhja në Ballkan.
“Në emrin e Allahut, i nderuar kryeministër i Shqipërisë, Edi Rama, miku im i çmuar. Të dashur vëllezërit dhe motrat e mi shqiptar, më lejoni t’ju falënderoj përzemërsisht me ndjenjat e mia të thella. Sot jam entuziast dhe i lumtur që jam këtu së bashku me juve dhe për këtë arsye gjithsecilin nga ju dua ta falënderoj për këtë emocion që më dhuruat. Jam shumë me fat sot që ndodhem në këtë ambient të shenjtë, i lutem Allahut për xhaminë e Namasgjasë, themelet e saj i hodhëm në 2025, për shqiptarët dhe myslimanët në Ballkan”.