Mes tensionesh, zgjedhjet e jashtëzakonshme vështirë për t’u mbajtur - Gazeta Express
string(66) "mes-tensionesh-zgjedhjet-e-jashtezakonshme-veshtire-per-tu-mbajtur"

Mes tensionesh, zgjedhjet e jashtëzakonshme vështirë për t’u mbajtur

Lajme

Gazeta Express

08/12/2022 6:53

Dinamika e zgjedhjeve në veri ka kaluar në shqetësim. Kërcënime, incidente me granata dore, e shpërthime të tjera karakterizuan veriun e Kosovës të martën, si tentativë për ta parandaluar mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, njëmbëdhjetë ditë para 18 dhjetorit. Për fatin e tyre, nuk është vendosur ende, derisa mundësia për shtyrje ose anulim mbetet reale.

Dorëheqja e udhëheqësve serbë nga institucionet e Republikës së Kosovës, përfshirë kryetarët e komunave me shumicë serbe, si pakënaqësi ndaj vendimit për suspendim të drejtorit të policisë në veri, Nenad Gjuriq, pa shenja rikthimi prapa, shtoi nevojën për zgjedhje të reja.

Lexo Edhe:

Me vendim të Presidentes Osmani, u caktua që zgjedhjet e jashtëzakonshme, për kryetarë të rinj në komunat veriore, të mbahen më 18 dhjetor.

Certifikimi i partive politike dhe kandidatëve përkatës për komuna veçse është kryer, mirëpo, me t’u afruar afati i mbajtjes së zgjedhjeve, filluan edhe kërcënimet, nga po ata që, parimisht, shkaktuan këtë kaos me vendimin për dorëheqje.

‘Të mbështetur me shpatulla pas muri’, qytetarët serbë në veri duan ta refuzojnë me çdo kusht këtë proces, që sa demokratik, po del të jetë aq i rrezikshëm në këtë pjesë të vendit.

Tentativat për pengesë, zgjojnë dilemën e mbajtjes së zgjedhjeve

Raportimet për shpërthime në veri të Kosovës, në ditën kur zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve po tentonin të merren me organizimin e zgjedhjeve, vunë në pikëpyetje vetë procesin.

Kjo shtyu KQZ’në të mbanin një mbledhje të jashtëzakonshme, nga e cila u konstatua se qasja e tyre është e kufizuar në këtë pjesë të vendit.

“Në këto kushte, nuk mund të punojmë sipas planit tonë të paraparë. Është e padrejtë të kërkohet nga zyrtarët tanë që të dërgohen në një vend ku ka pasiguri”, tha kryetari i Komisionit, Kreshnik Radoniqi.

Dozën e dyshimit për (mos)mbajtje të zgjedhjeve, Radoniqi e shtoi me deklarimin se zgjedhjet në veri “nuk mbahen me zor”.

“Atëherë na duhet ose të bëjmë ndonjë rekomandim, pasi me zor nuk mbahen zgjedhjet, në këtë formë është fjala. Nuk mund të rrezikojmë askënd”, tha ai.

Objektet në Veri të dëmtuara nga sulmet

Si nga Presidenca, ashtu edhe nga Qeveria, është kërkuar vlerësimi i organeve të sigurisë për të vazhduar me hapa të mëtejmë, derisa mundësinë për shtyrjen e afatit e lanë të hapur të dyja.

Incidentet në veri, i konsideroi alarmante edhe ShBA’ja. Sipas ambasadorit Hovenier, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të shqetësuar se aktualisht, mungojnë kushtet e përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për faktin se për momentin nuk janë krijuar kushtet që zgjedhjet të mbahen në fund të këtij muaji në veri të Kosovës. Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë. Ne kërkojmë që të gjithë të përfshirët të vetëpërmbahen”, ka shkruar Hovenier.

Përkundër rreziqeve, nga KQZ u deklaruan se do të vazhdojnë të përkushtuar, në përpjekje për t’i mbajtur ato sipas planit.

“Pavarësisht sfidave që na paraqiten në këtë kohë, KQZ është e përkushtuar për të kryer detyrat e veta”, deklaroi Radoniqi, pas hedhjes së shortit për renditjen e subjekteve politike në komunat veriore.

Deklarata si këto, në këtë pikë, rrisin mundësitë për shtyrje të afatit për zgjedhje, e mbase edhe mundin ato për mbajtjen e tyre në afat.

Shpërthimet në Veri: kush, si dhe pse?

Raportimet e para për shpërthime filluan të martën, pak pas orës 15:00, ku fillimisht u dëgjuan dy shpërthime në Zubin Potok, komunë e banuar me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës.

Jo vetëm aty, sirena alarmuese u dëgjuan edhe në Mitrovicë të Veriut.

Shpërthimet në këto komuna, i konfirmoi edhe Policia e Kosovës, të cilët theksuan se këto sulme u kryen me granata dore të prodhimit jugosllav.

Në deklarim, u njoftua se grupet kriminale kanë sulmuar zyrat e komisionit zgjedhor komunal në Mitrovicë të Veriut, dhe të njëjtit po mundohen që shkaktimin e tensioneve t’ia atribuojnë Policisë së Kosovës.

Granata dore që u përdorën për sulme. Sipas policisë, janë të prodhimit jugosllav

“Referuar gjendjes në teren ju njoftojmë se dëmtime të zyrave të komisionit zgjedhor komunal në Mitrovicë Veri janë bërë nga persona/grupe të dyshuar/a të maskuar, të dhunshëm të cilët kanë përdor mjete të rrezikshme, përfshirë granata dore të prodhimit jugosllav”, u bë e ditur në njoftim.

Sulmet u intensifikuan edhe më tepër, me ç’rast u pengua edhe raportimi nga vendi i ngjarjes, për shkak se gazetarëve iu kërkua të largohen me pretendimin se “nuk ka siguri për të qëndruar aty”.

Identifikimi i personave që kryen këto sulme, që bënë që veriut edhe njëherë t’i cenohet siguria, nuk është bërë ende, por se liderët e shtetit deklaruan se janë bërë nga grupe kriminale, e madje edhe ish-policë të Kosovës.

“Kemi të dhënat e para të mbledhura nga terreni, nga policia e rendit dhe inteligjenca, e cila thotë se një pjesë e këtyre kriminelëve vijnë nga radhët e ish pjesëtarëve të policisë së Kosovës”, deklaroi të mërkurën, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Në deklarimin e tij, Sveçla po ashtu siguroi opinionin publik, se po punohet që “kriminelët e përfshirë në këtë sulm terrorist”, të sillen përpara drejtësisë.

Ndërkaq, pati edhe pretendime se këto sulme janë kryer nga forcat paramilitare të Putinit, Wagner, në koordinim me Milan Radojçiqin e Listës Serbe.