Nesër protesta, Kupola e vjetër ndjek Berishën, dy ish-ministrat e sabotojnë - Gazeta Express
string(74) "neser-protesta-kupola-e-vjeter-ndjek-berishen-dy-ish-ministrat-e-sabotojne"

Nesër protesta, Kupola e vjetër ndjek Berishën, dy ish-ministrat e sabotojnë

Shqiperi

Gazeta Express

06/07/2022 22:00

Nesër në orën 19:00 Sali Berisha do të zbresë në shesh kundër qeverisë së drejtuar nga Edi Rama në mandatin e tretë, si asnjëherë tjetër më parë në Shqipëri. Por në këtë përballje, jo të gjithë do t’i ketë në krah.

Në këtë rikthim të tretë, pyetja që shtrohet është se çfarë po ndodh me bashkëpunëtorët e tij më të afërt që kishte dikur? Nesër krah tij do të jenë në shesh disa nga ish-ministrat që ka pasur në kabinet nga 2005 deri në 2013, por jo të gjithë.

Lexo Edhe:

Një nga emrat e njohur të diplomacisë, ish-ministri Besnik Mustafaj u shpreh për “5pyetjet.al” se do të jetë nesër në shesh. “Po, nesër do të shkoj për të protestuar” tha ai. Po ashtu edhe, ish-ministri i Arsimit Myqerem Tafaj. “Sigurisht që do të shkoj për të protestuar” tha ai.

Në të njëjtin mendim ishte edhe ish-ministri tjetër Spiro Ksera. “Pa asnjë diskutim. Sa herë që të thërrasë partia do të jem atje”. Për Florion Mimën nuk ka dyshime, pasi “jam edhe anëtar i kryesisë së partisë”.

Përjashto ministrat që ka pasur Sali Berisha nga partitë aleate, dy janë të tijët që sot i kanë dalë hapur kundër, Enkelejd Alibeaj dhe Ferdinand Xhaferraj.

Ish-ministri i Drejtësisë tashmë në krye të grupit doli hapur kundër ish-kryeministrit duke u shprehur se “shpresa e shqiptarëve nuk mund të jetë një non grata”.

Po ashtu edhe Xhaferraj, dikur ish-ministër dhe bashkëpunëtor, tashmë përballë dhe hapur. “Protesta bëhet për arsye personale” tha ai.

Një pjesë tjetër e ish-ministrave janë larguar nga politika aktive, si rasti i Genc Rulit, ndërsa Majlinda Bregu është në krye të sekretariatit të këshillit të bashkëpunimit rajonal.

Pjesën dërrmuese të “xhaketave të vjetra” Sali Berisha e ka ende me vete, madje në detyra kryesore si; Flamur Noka, Aldo Bumçi, Tritan Shehu, Bujar Leskaj, Genc Pollo dhe Arben Imami.

Tubimi nesër do të jetë sprova e parë e Sali Berishës në rikthimin e tretë.