Lavrovit s'iu sos durimi: Përgjigjja iu vonua, kërkesa iu refuzua, rezistenca s’u shua - Gazeta Express
string(82) "lavrovit-siu-sos-durimii-pergjigjja-iu-vonua-kerkesa-iu-refuzua-rezistenca-su-shua"

Lavrovit s’iu sos durimi: Përgjigjja iu vonua, kërkesa iu refuzua, rezistenca s’u shua

Lajme

Nasuf Abdyli

27/01/2022 15:46

Më 14 janar, ditë e premte, ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë përdori gjuhë goxha të ashpër ndaj Perëndimit. Ai tha se vendit të tij i është sosur durimi me Perëndimin dhe se pret përgjigje për kërkesat ruse brenda një jave. Si duket, atdheu i Lavrovit ka më shumë durim se aq sa tha ai atë ditë dhe madje mund të presë pak më shumë se afati që vetë e cakton.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Duke folur në konferencën vjetore për gazetarë, kryediplomati rus tha se Kremlini nuk do të presë për kohë të pakufizuar që Perëndimi të përgjigjet ndaj kërkesave të Rusisë që NATO-ja të mos zgjerohet dhe të mos dërgojë forca në Ukrainë dhe në shtetet tjera ish-sovjetike.

“Na është harxhuar durimi. Perëndimi është udhëhequr nga arroganca dhe i ka përkeqësuar tensionet, duke i shkelur obligimet e veta dhe logjikën”, deklaroi njëri ndër ministrat më të njohur të Putinit të premten e dytë të janarit, duke shtuar se Rusia priste përgjgigje për kërkesat e saj brenda një jave.

Sidoqoftë, Rusisë nuk i erdhi përgjigjja deri të mërkurën e kësaj jave, gati dy javë pas deklaratës së Lavrovit, kur Shtetet e Bashkuara njoftuan se janë të përkushtuara në mbrojtjen e disa parimeve thelbësore, përfshirë të drejtën e shteteve për t’i zgjedhur vetë marrëveshjet dhe aleancat e tyre të sigurisë, sipas deklaratës së sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Të enjten, më 27 janar, Lavrovi dukej se, megjithatë, kishte ende durim – ai nuk i ishte sosur krejt. Kryediplomati rus, natyrisht, siç pritej, u shpreh i zhgënjyer.

“Nuk ka reagim pozitiv ndaj çështjes kryesore në këtë dokument. Çështja kryesore është pozicioni ynë i qartë për papranueshmërinë e zgjerimit të mëtejmë të NATO-s në lindje dhe dërgimin e armëve sulmuese, që do të mund ta kërcënonin territorin e Federatës Ruse”, tha ministri i vjetër i Putinit.

Kështu, për pak ditë, doli se Rusisë as nuk iu respektua afati i kërkuar për marrjen e përgjigjeve, as nuk iu plotësua njëra ndër kërkesat kryesore – garancia se Ukraina nuk do të anëtarësohet në NATO. Perëndimi nuk u dorëzua para presionit rus me lëvizje taktike politike. Moska e la prapë të hapur mundësinë e bisedimeve, ashtu siç ka bërë thirrje ShBA-ja./Gazeta Express