Proamerikan vs Proevropian - kjo është një luftë klasore - Gazeta Express
string(54) "proamerikan-vs-proevropian-kjo-eshte-nje-lufte-klasore"

Proamerikan vs Proevropian – kjo është një luftë klasore

OP/ED

Gazeta Express

06/12/2020 9:15

Si ndahen në “proamerikanë” dhe “proevropianë” kosovarët? Sipas klasave. Ata që në kohët e shtypjes i kishin vuajt më shumë e më ashpër mjetet e shtypjes serbe e jugosllave, ndjehen më borxhlinj ndaj Amerikës, sesa ata që kanë qenë disi klasë e mesme edhe përbrenda realitetit jugosllav e që janë të tillë edhe sot, pra kjo elita kulturore e Kosovës për aq sa mund të konsiderohet elitë çkado në Kosovë.

Shkruan: Rron Gjinovci

Lexo Edhe:

Për ata me prejardhje rurale Amerika është shpëtimtari, që përveç heqjes së Serbisë si prodhues i dhunës e represionit direkt, në një mënyrë indirekte mundësoi edhe çlirimin klasor, daljen prej shtresës së varfër fshatare ku ishin, në shtresën e mesme e të lartë ku janë. Ndërkaq, elita (thënë gjithmonë kushtimisht) ndonëse nuk ka dyshim se Amerika kishte rolin kyç për çlirimin e Kosovës ajo e lë fajtore Amerikën për diçka tjetër. Pra përveç pjesës së ndjekjes së Serbisë prej këtu dhe për të cilën gjë secili në Kosovë ndjen peshën e intervenimit amerikan, pa të cilin kjo ndjekje e Serbisë nuk do të ndodhte, megjithatë elita (gjithmonë e thënë kushtimisht) në njëfarë mënyre ndjen se për faj të Amerikës që bashkëpunonte me ata të luftës pas luftës, mundësoi përmbysjen klasore. Dhe tash pushtetin politik e ekonomik nuk e ka më elita, por Nouveau Riche-i (lexo: nuvo rishë, nga frengjishtja – ata që janë pasuruar brenda natës) dhe që dalëngadalë po zëvendësojnë elitën e dikurshme.

Elita (e para luftës) duke pasur një përgatitje pak më të mirë intelektuale e di se Evropa me gjithë të metat e saj që mund të numërohen nga mëngjesi në darkë, është megjithatë arritja e fundit e demokracisë, ekonomisë e politikës dhe e di se gjeostrategjikisht të qenët me Evropën e proevropian është e pashmangshme dhe e domosdoshme. Po ashtu, kjo elitë duke u identifiku më shumë me Evropën ideo-politiksht e sidomos kulturalisht, pikërisht kështu ia mundëson vetes diferencimin kulturor nga Nouveau Riche-i. Dhe mundohet të shënojë epërsinë në shoqërinë kosovare, të paktën epërsinë kulturore, pasi pushtetin politik e ekonomik e ka humbur prej kohësh dhe atë e mban me korrupsion Nouveau Riche-i.

Prandaj këto identifikime, “proamerikanë” e “proevropianë” i gjejmë prezente kaq vrazhdtë te të gjitha partitë. Te krahu i luftës dhe i paraluftës, në përgjithësi establishmenti në rënie, aleati kryesor i Nouveau Riche-it, i cili si “proamerikan” (qëllimisht në thonjëza), pa asnjë dyshim, shpëtimtar të Kosovës e paraqet Amerikën. Etablimi me sukses i një diskursi të tillë të pakontestueshëm do t’i jepte Nouveau Riche-it legjitimitet.

Në të vërtetë Nouveau Riche-i nuk e ka gajlen e Kosovës fare. Për të, çështja ka kaq shumë rëndësi sepse Amerika ishte shpëtimtari klasor i tij dhe në njëfarë mënyre legjitimues i kapërcimit klasor të Nouveau Riche-it, nga klasa e varfër fshatare, në të pasur dhe establishment ekonomiko-politik.

Ndërkohë, te Vetëvendosje dhe kritikët e establishmentit, që ngërthejnë në vete edhe elitën (kushtore) që simpatizohen gjërësisht prej rinisë e cila nuk e mban mend dhe aq fort shtypjen (qoftë edhe shtypjen klasore të para luftës), është më shumë prezente Evropa si shembull i asaj se çka synojnë politikisht, ekomonikisht e kulturalisht, ndonëse kjo mund të jetë e pavetëdijshme.

Krej kjo është e mundur vetëm në saje të demografisë sonë, e cila lejon ndërrime kaq dinamike për shkak të popullsisë shumë të re, e cila natyrshëm nuk ka një memorie reflektive.

Nga të dy prejardhjet klasore ka përjashtime: ata që vijnë nga elita e të cilët për arsye kryekëput ekonomike janë pro establishmentit në rënie dhe shfaqen si “proamerikanë”; kurse nga ana tjetër janë ata që vijnë nga shtresat e mesme apo të varfëra (rurale), e të cilët kanë fituar vetëdije politike që u mundëson atyre tejkalimin e lidhjeve të ngushta lokale e partikulare dhe që në fakt janë proevropianë të mirëfilltë (pa thonjëza).

Pastaj kjo ndarje reflektohet edhe në atë se si e shohin njëri tjetrin proamerikani dhe proevropiani kosovar. Ashtu siç Evropa e sheh Amerikën të fuqishme por disi “barbare” në shijen e saj (estetikën e munguar), ashtu e sheh proevropiani kosovar bashkëqytetarin e vet proamerikan: me pushtet, por pa shije e rrjedhimisht pa kulturë. Ashtu siç Amerika e sheh Evropën disi me përbuzje për të kaluarën e saj të lavdishme që nuk i ka sjellë pushtet politik sa Amerikës sot, ashtu e sheh proamerikani Kosovar bashkëqytëtarin e vet proevropian që sot nuk ka pushtet e dikur kishte. Dhe, ashtu siç Amerika luftarake e sheh me përçmim prirjen pacifiste të Evropës, ndërkohë që konfliktin dhe përballjen e kultivon si mjet për zgjidhjen e problemeve edhe sot, ashtu e sheh proamerikani Kosovar me përçmim prirjen pacifiste dhe frikën e proevropianit Kosovar sot, apo në kohën e luftës dikur. Dhe kjo përplasje vërehet sot në Kosovë, jo veç si nëntekst i një beteje të gjatë shekullore mes dy kulturave të superfuqive, Amerikës dhe Evropës, por tashmë edhe si nji përplasje reale e politike në Kosovë e cila si çdo tjetër, në radhë të parë është klasore.

Krejt çka po shohim muajve të fundit është zhvillimi i kësaj lufte klasore, ku establihmenti i Nouveau Riche-it në rënie, i korruptuar deri në palcë, e keqpërdor Amerikën si sentiment për të mbuluar korrupsionin e vet dhe mundohet secilin kundërshtar të vetin ta portretojë si antimaerikan. E në anën tjetër shumica e lodhun nga pallavrat ka fituar imunitet qoftë edhe për etiketa të tilla si “antiamerikan” që dikur ishin anatema të suksesshme, dhe po përparon dita ditës duke ia ngushtu lakun establishmentit që po lëkundet në trekëmbësh.

Si rëndom, establishmenti shkatërrimin e resurseve të veta të korruptuara e proklamon si fundin e botës, shkatërrimin e rendit, prishjen e shtetit, fundin e historisë. Por në fakt është veç fundi i establishmentit ai që po vjen, asgjë tjetër. Nouveau Riche-i nuk po arrin të bëhet klasë e qëndrueshme, po bjen e po lë hapësirë për t’u zëvendësu nga një klasë tjetër. Simbas të gjitha gjasave, në pak vjet nga një Nouveau Riche i ri, që do të vijë në emër të luftës kundër korrupsionit, jo për ta çrrënjosur atë, por për t’ia zëvendësuar padronët atij.