S'ka ftesa, pandemia bllokon dialogun Kosovë-Serbi - Gazeta Express
string(48) "ska-ftesa-pandemia-bllokon-dialogun-kosove-serbi"

S’ka ftesa, pandemia bllokon dialogun Kosovë-Serbi

Arbër Jashari

18/11/2020 17:34

Situata me pandeminë COVID-19 dhe masat restriktive të mbylljes që shtetet e BE’së kanë ndërmarrë ka frenuar edhe procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Zëdhënësja e qeverisë, Antigona Baxhaku tha për Gazetën Express se nuk kanë pranuar ndonjë ftesë nga Bashkimi Evropian për një raund të ri negociatash qoftë në nivelin e ekspertëve apo në nivelin e lartë politik.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

29 tetori ka qenë data e fundit kur Kosova dhe Serbia janë takuar në Bruksel dhe që nga atëherë nuk ka pasur takime tjera.

Emisari i BE’së, Miroslav Lajçak kishte deklaruar pas takimit me kryenegociatorët Skender Hyseni dhe Petar Petkovic të enjten e 29 tetorit se kanë shënuar progres dhe se raundi tjetër i bisedimeve do të ndodhë së shpejti.

Kanë kaluar tre javë dhe dy shtetet nuk kanë pasur ndonjë takim tjetër në kryeqytetin evropian.

Zëdhënësja e qeverisë, Antigona Baxhaku i tha Gazetës Express se nuk kanë pasur ndonjë ftesë nga BE’ja për ndonjë raund të ri të bisedimeve.

“Situata pandemike e ka bërë të veten dhe Belgjika tani është në mbyllje. Qeveria e Kosovës nuk ka pasur ndonjë ftesë nga Bashkimi Evropian për raund të ri bisedimesh as në nivelin teknik e as në atë politik”, tha Baxhaku.

Derisa ende s’ka ftesë zyrtare nga Brukseli, unitet për dialogun s’ka as brenda koalicionit qeverisës e institucioneve të tjera të vendit. Kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj, ka kërkuar bllokim të dialogut si pasojë e arrestimeve nga Specialja. Të njejtën gjë e ka kërkuar edhe u.d e presidentes, Vjosa Osmani.

Aktakuzat ndaj ish-Presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit të PDK’së, Kadri Veseli, ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi dhe ish-shefit të Grupit Parlamentar të VV’së, Rexhep Selimi nga Dhomat e Specializuara kanë shkaktuar reagime të shumta në Kosovë duke bërë thirrje që edhe procesi i dialogut me Serbinë të pezullohet.

Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj ishte i pari që kërkoi nga kryeministrit Hoti që të pezullojë dialogun me Serbinë, kërkesë të cilën ia përcjelli në një mbledhje të qeverisë edhe ministri Selim Selimi.

Por shefi i ekzekutivit ishte përgjigjur se nuk komentojnë vendimet e organeve të drejtësisë dhe se dialogu duhet të vazhdojë.

“Duhet të respektojmë parimin e ndarjes së pushteteve, në veçanti ministri i Drejtësisë e ka të qartë këtë çështje, ne nuk ndërhyjmë as nuk komentojmë vendime të organeve të drejtësisë, në Qeverinë e Kosovës, nuk ka hapësirë për sjellje ndryshe, bazën ligjore e kemi të qartë se si sillemi në këtë situatë për t’i ndihmuar ligjërisht, Kushtetuta është e qartë se si procedohet më tutje kur vendi nuk ka president, secili prej juve duhet të vazhdojë me kapacitet të plotë. Ky është qëndrimi që duhet të mbajmë si qeveri”, ka thënë Hoti.

Pezullimin e dialogut e ka kërkuar edhe ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani. Në një intervistë për DW, Osmani ka thënë se shkaku i aktakuzave të Speciales, dialogu me Serbinë nuk duhet të vazhdojë.

“Unë mendoj që për shkak të zhvillimeve aktuale tani nuk është momenti që të vazhdohet dialogu menjëherë. Dhe duhet që institucionet e Kosovës të marrin pak kohë, të ulemi, të konsultohemi mes vetes, të krijojmë një qëndrim shumë më të unifikuar rreth dialogut, sepse është e domosdoshme që kushdo që negocion në emër të Kosovës, për fatin e Kosovës, të ketë një qëndrim shumë më të unifikuar të spektrit politik se sa vetëm të koalicionit që përfaqëson”, ka thënë Osmani.

Zëdhënësi i BE’së, Peter Stano në një përgjigje për Express para disa ditësh kishte thënë se BE  nuk komenton deklaratat e palëve dhe se dialogu është duke vazhduar.

“BE-ja është lehtësuese e dialogut dhe ne jemi duke u përqendruar në këtë rol. Ne nuk jemi komentues të deklaratave publike të zyrtarëve të ndryshëm të njërës apo palës tjetër”, ka thënë zëdhënësi për Politikë të Jashtme i BE’së, Peter Stano.

Megjithatë Brukseli zyrtar ende nuk ka caktuar ndonjë datë të re për raund tjetër të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë./GazetaExpress/