BE'ja injoron deklaratën e Ramush Haradinajt dhe Vjosa Osmanit për ndërprerjen e dialogut - Gazeta Express
string(88) "beja-injoron-deklaraten-e-ramush-haradinajt-dhe-vjosa-osmanit-per-nderprerjen-e-dialogut"

BE’ja injoron deklaratën e Ramush Haradinajt dhe Vjosa Osmanit për ndërprerjen e dialogut

Arbër Jashari

10/11/2020 18:09

Bashkimi Evropian po vazhdon planet për dialogun, pa i përfillur deklaratat në Prishtinë se negociatat me Serbinë duhet të ndërprehen, pas arrestimeve të Gjykatës Speciale. Nga BE’ja në një përgjigje për Gazetën Express nuk i ka komentuar deklaratat e u.d së presidentit Osmani dhe Ramush Haradinajt. Ndërkaq tregojnë planet për vazhdim të dialogut.

Zëdhënësi i BE’së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, tha se Bashkimi Evropian nuk komenton deklaratat publike të palëve nëse procesi i dialogut duhet të ndërpritet. Në një përgjigje për Gazetën Express, Stano u shpreh se dialogu është duke vazhduar dhe Hoti e Vuçiq janë deklaruar në fillim të shtatorit se u japin prioritet integrimit në BE dhe vazhdimit të negociatave mes palëve.

Lexo Edhe:

“BE-ja është lehtësuese e dialogut dhe ne jemi duke u përqendruar në këtë rol. Ne nuk jemi komentues të deklaratave publike të zyrtarëve të ndryshëm të njërës apo palës tjetër”, ka thënë zëdhënësi për Politikë të Jashtme i BE’së, Peter Stano.

Tutje, Stano u shpreh procesi i dialogut është duke vazhduar dhe Hoti e Vuçiq kanë konfirmuar se i japin prioritet negociatave mes dy shteteve.

“Dialogu, pas rifillimit të tij në korrik, është duke vazhduar përsëri dhe po përparon me takime në nivel ekspertësh dhe në nivelin më të lartë politik. Udhëheqësit nga të dyja palët – Presidenti Vuçiq dhe Kryeministri Hoti – konfirmuan (në një deklaratë të përbashkët më 7 shtator) se ata ua japin prioritetin më të lartë integrimit në BE dhe vazhdimit të punës në dialogun Beograd – Prishtinë, të lehtësuar nga BE-ja. Pasja e qartë e këtij përkushtimi dhe kuptimi të përbashkët të prioriteteve është thelbësore për përparimin e Kosovës dhe të Serbisë në rrugën evropiane”, ka thënë Stano.

Pas pesë viteve të themelimit, Specialja javën e kaluar arrestoi dhe transferoi në Hagë krerët kyç të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryetari i PDK’së, Kadri Veseli dhe deputeti i VV’së, Rexhep Selimi së bashku me një Aeroplan ushtarak u dërguan në Hagë të Holandës të premten më 6 nëntor për t’u përballur me akuzat e Prokurorisë Speciale për krime lufte. Kurse një ditë më herët ishte transferuar në Gjykatën Speciale ish-zëdhëënsi i UÇK’së, Jakup Krasniqi.

Menjëherë pas kësaj, Ramush Haradinaj kërkoi që qeveria Hoti të pezullojë dialogun me Serbinë.

Kjo kërkesë i erdhi Hotit edhe në mbledhjen e qeverisë që u mbajt të premten nga ministri i Drejtësisë, që vjen nga AAK’ja Selim Selimi, të cilën kërkesë nuk e miratoi shefi i ekzekutivit duke thënë se dialogu nuk mund të ndërpritet.

“Duhet të respektojmë parimin e ndarjes së pushteteve, në veçanti ministri i Drejtësisë e ka të qartë këtë çështje, ne nuk ndërhyjmë as nuk komentojmë vendime të organeve të drejtësisë, në Qeverinë e Kosovës, nuk ka hapësirë për sjellje ndryshe, bazën ligjore e kemi të qartë se si sillemi në këtë situatë për t’i ndihmuar ligjërisht, Kushtetuta është e qartë se si procedohet më tutje kur vendi nuk ka president, secili prej juve duhet të vazhdojë me kapacitet të plotë. Ky është qëndrimi që duhet të mbajmë si qeveri”, ka thënë Hoti.

Ndërkaq sot në një intervistë për Deutsche Welle, ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani ka vlerësuar se përshkak të zhvillimeve aktuale nuk është momenti që të vazhdohet dialogu me Serbinë.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka rifilluar në korrik të këtij viti pas 20 muajsh ndërprerje si pasojë e vendosjes së taksës ndaj mallrave serbe nga qeveria Haradinaj në nëntor 2018.

Më 29 tetor ishte takimi i fundit i palëve në nivelin e ekspertëve në Bruksel i ndërmjetësuar nga Emisari i BE’së, Miroslav Lajçak, në të cilin u diskutuan pretendimet e përbashkëta financiare dhe pronat.

Në këtë takim Kosova u përfaqësua nga Koordinatori shtetëror për dialogun Skender Hyseni ndërkaq Petar Petkovic drejtor i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë përfaqësoi palën serbe.

Bashkimi Evropian akoma nuk ka caktuar datat për takimet e ardhshme mes Kosovës dhe Serbisë qoftë në nivelin e ekspertëve apo në nivelin e lartë./GazetaExpress/