Kë të besojmë, BE-në për Klodi Lalën, apo BE-në për Edi Ramën - Gazeta Express
string(59) "ke-te-besojme-be-ne-per-klodi-lalen-apo-be-ne-per-edi-ramen"

Gazeta Express

21/10/2020 20:13

Kë të besojmë, BE-në për Klodi Lalën, apo BE-në për Edi Ramën

Gazeta Express

21/10/2020 20:13

Nga Kastriot Islami

Një prej lajmeve më të ndjekura sot ka qënë se Bashkimi Europian i ka akorduar gazetares Klodi Lala, çmimin e parë për gazetarinë investigative.

Lexo Edhe:

BE ka përzgjedhur pikërisht hulumtimin e Lalës për ndërhyrjen e krimit në zgjedhje në favor të Partisë Socialiste, gjegjësisht, dosjet 339 dhe 184.

Kushdo që kërkon të vrasë pak më shumë mendjen, nuk gabon nëse vëren se me këtë rast Brukseli i ka dhënë edhe më shumë konfirmim përfundimeve të gazetares, e cila ka zbuluar se bandat e krimit të organizuar, trafikantët e drogave të forta dhe sasive të mëdha, persona me precedent të rëndë penalë deri të dënuar për vrasje, ishin kthyer në shtabe elektorale për rilindjen

Ata blinin vota, shantazhonin administratën me vendin e punës, dhe kërcënonin anëtarë të Opozitës.

Kishin kontakte të ngushta me drejtuesit politikë të qarqeve.

Madje, në rastin e dosjes 184, që janë zgjedhjet në Dibër, përgjimet kanë zbuluar edhe një komunikim të kryeministrit me një shef lokal atje, tek e pyet; a po realizohet plani.

Me këtë vlerësim, Bashkimi Europian i ka dhënë edhe më shumë vërtetësi këtyre akuzave, dhe e ka bërë edhe më të prekshëm dhe shqetësues krimin elektoral.

Po nga ana tjetër, kemi zyrtarë të BE, që prej vitesh rekomandojnë hapjen e negociatave për anëtarësim, pasi sipas tyre, qeveria e Edi Ramës i ka plotësuar kushtet.

Gjetjet dhe deklaratat që bëjnë janë shpesh të sheqerosura, aq sa kanë sjellë edhe debate në Parlamentin Europian ku disa deputetë kanë kërkuar llogari për këto formulime të Komisionit.

Në kundërshtim janë ato edhe me vendimet që marrin më pas vendet anëtare, që vendosin të shtojnë kushte të reja çdo vit, teksa Komisioni thotë se ato janë plotësuar.

Këto raporte, janë keqpërdorur gjithnjë politikisht nga qeveria, duke i treguar dhe shitur si sukses. Ka bërë me to propagandë dhe ka shkuar deri atje sa u ka thënë shqiptarëve, deri tani 4 herë, se negociatat janë hapur.

Por sot, kemi në fakt 15 parakushte për të plotësuar, për t’u ulur në konferencën ndërqeveritare.

Edhe në raportin e fundit të Komisionit, nuk prekej çështja e krimit zgjedhor, as fakti se, ende nuk kemi të dënuar për dosjen 339 dhe 184.

Po ndërkohë, Brukseli më anë tjetër ka vendosur t’i japë çmim të parë, një tjetër konstatimi dhe përshkrimi të gjendjes këtu, që është pikërisht investigimi i gazetares Klodi Lala. Ku del qartazi se qeveria është shumë larg standardeve dhe vlerave që imponon Europa.

Me të drejtë, lind pyetja.

Kë të besojmë, BE-në për Klodi Lalën, apo BE-në për Edi Ramën./Mapo