Ylli i NBA dhe Milwaukee Bucks, Giannis Antetokounmpo, e ka pranuar se kishte gënjyer kur kishte thënë se nuk ka kosh për të ushtruar basketboll gjatë karantinës, pas ndërprerjes së sezonit dhe stërvitjeve në NBA.
Në prill, kur sezoni i NBA ishte pezulluar shkaku i përhapjes së koronavirusit në botë dhe lojtarët ishin vetëizoluar nëpër shtëpitë e tyre, Giannis Antetokounmpo kishte thënë se ai nuk po ka mundësi të stërvitet ashtu siç duhet, transmeton Gazeta Express.
“Unë nuk kam qasje në kosh. Shumë prej lojtarëve të NBA kanë fusha në shtëpitë e tyre, ndërsa unë vetëm mund të bëj stërvitje në kushte shtëpie, por s’mund të luaj basketboll”, kishte thënë Giannis.
Megjithatë, tani vetë greku e ka zbuluar se ai kishte tentuar thjesht t’i mashtrojë kundërshtarët e tij.
Antetokoumpo e zbuloi gënjeshtrën e vet të martën, përderisa po bisedonte me gazetarë në NBA Bubble në kompleksin Walt Disney World në Orlando, ku po qëndrojnë të gjithë lojtarët dhe stafet e klubeve deri në fund të sezonit.
“Ata që menduan se unë nuk kam qasje në një fitness me të gjitha pajisjet, nuk më njeh mua aspak. Kështu që unë thjesht e thash atë në tentim për të dalë pak përpara konkurrencës”, ka thënë Antetokounmpo.
Ylli i Bucks ka mesatare prej 29.6 pikësh dhe 13.7 kërcimesh për ndeshje gjatë këtij sezoni në NBA, përderisa skuadra e tij e mban rekordin më të mirë në ligë me 53 fitore dhe 12 humbje. /Gazeta Express/