15 ditët kritike të Albin Kurtit, a do të merret vesh me LDK-në për koalicion? - Gazeta Express
string(75) "15-ditet-kritike-te-albin-kurtit-a-do-te-merret-vesh-me-ldkne-per-koalicion"

Gazeta Express

20/01/2020 10:54

15 ditët kritike të Albin Kurtit, a do të merret vesh me LDK-në për koalicion?

Gazeta Express

20/01/2020 10:54

Vetëm 15 ditë i mbesin, që nga sot, Lëvizjes Vetëvendosje që të arrijë marrëveshje për koalicion, e të sigurojë numrat e nevojshëm për formim të qeverisë. Dorëzimi i propozimit për mandatar te presidenti Hashim Thaçi, u bë pa marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, e me këta të fundit nuk ka sinjale që mund të ketë lëvizje, shkruan Gazeta Express

Me propozimin e emrit për mandatar nga Lëvizja Vetëvendosje, zyrtarisht ka filluar edhe afati prej 15 ditësh që kjo parti ka për të siguruar votat e nevojshme për krijimin e qeverisë së ardhshme.

Lexo Edhe:

Kushtetuta e Kosovës e saktëson se kandidati për kryeministër, pas dekretimit nga presidenti i shtetit, ka kohë jo më vonë se 15 ditë që të paraqesë përbërjen e qeverisë para Kuvendit të Kosovës.

“Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit”, shkruhet në Kushtetutë.

Rrjedhimisht, deri më 5 shtator, LV-ja ka kohë që të merret vesh me Lidhjen Demokratike të Kosovës, ose të shkojë në seancë pa pasur 61 votat që i duhen për të formuar qeverinë.

Në rast se Kurti nuk i siguron këto vota, atëherë Thaçi brenda 10 ditëve emëron kandidatin tjetër brenda të njëjtës procedurë.

Në Kushtetutë saktësohet se nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Derisa afati kohor ka filluar tashmë, Albin Kurti ka treguar hendekun me LDK-në edhe një herë sot me publikimin e video-mesazhit të tretë. Ai e ka sqaruar edhe një herë se nuk do ta pranojnë kushtin e LDK-së, për të shkarkuar Glauk Konjufcën.

Lideri i LV-së u përkujdes që të tregojë se edhe pse është i hapur për gjetje të kompromisit, është qasja aktuale e LDK-së që nuk është e duhura.

Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja deri më tani nuk kanë bërë të ditur nëse kanë caktuar ndonjë takim, megjithëse Kurti tha se këto ditë do të takohet me pakicat.

Në anën tjetër, presidenti i vendit, pas propozimit të LV-së e ka ftuar sot në orën 12:00 në Presidencë Kurtin, megjithëse nuk dihet nëse ai do të shkojë për të pranuar dekretin. /GazetaExpress/