Kushti i Asociacionit për anëtarësim në KiE - çfarë iniciativa po diskuton Kurti me deputetët gjermanë? - Gazeta Express
string(100) "kushti-i-asociacionit-per-anetaresim-ne-kie-cfare-iniciativa-po-diskuton-kurti-me-deputetet-gjermane"

Kushti i Asociacionit për anëtarësim në KiE – çfarë iniciativa po diskuton Kurti me deputetët gjermanë?

Lajme

Gazeta Express

26/04/2024 11:27

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës i rekomandoi më një shumicë të madhe votash Komitetit të Ministrave që Kosovën ta bëjë anëtare të organizatës. Por, para se shtetet anëtare t’i dëgjojnë deputetët, disa nga aleatët kyçë të Kosovoës u angazhuan menjëherë që kryeministrit Kurti t’i kërkojnë progres urgjent drejt zbatimit të zotimit për Asociacionin. Ky i fundit dha një përgjigje për këto kërkesa në Berlin në një ngjarje të organizuar nga partia në pushtet e kancelarit Olaf Scholz, SPD, në hapësirat e Bundestagut.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Kryeministrin Albin Kurti e telefonoi vetë presidenti i Francës, Emmanuel Macron, për t’i kërkuar që pikën për Asociacionin ta trajtojë më me urgjencë. Ai këtë e tha në një rresht me anëtarësimin e Kosovës në KiE.

“Ai [Macron] nënvizoi rëndësinë që Franca i kushton, edhe në kontekstin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës, progresit të shpejtë dhe të pakthyeshëm në zbatimin nga autoritetet kosovare të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Pallati Elysee.

Pa vonuar shumë kërkesa tjetër i erdh Kurtit nga SHBA, e cila nuk ka të drejtë vote në Këshill të Europës, mirëpo thotë se është e angazhuar që të ndihmojë Kosovën në arritjen e objektivave për anëtarësime në organizata ndërkombëtare.

Kjo kërkesë iu bë Kurtit në një takim kokë më kokë me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit, James O’Brien – një takim që zuri vend po ashtu në Berlin.

“SHBA mbështet rrugën e Kosovës drejt integrimit euroatlantik. Për të shkuar përpara, ne duhet të zbatojmë zotimet e dialogut të lehtësuar nga BE, përfshirë progresin urgjent në Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Diskutova hapat pozitivë të nevojitur me kryeministrin kosovar Albin Kurti sot”, kishte shkruar O’Brien në X për takimin me Kurtin.

Ndërkaq, për qëndrimin e Gjermanisë mbi këtë çështje foli ambasada gjermane në Kosovë në një përgjigje për Gazetën Express.

“Kur bëhet fjalë për votimin përfundimtar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Komitetin e Ministrave, do të merret parasysh pamja e përgjithshme që po paraqet Kosova. Një vendim kaq i rëndësishëm, që kërkon një shumicë prej 2/3, nuk mund të lidhet me një temë të vetme si zbatimi i vendimit të Manastirit të Deçanit. Siç është thënë disa herë, Gjermania pret që Kosova të ndërmarrë hapa të prekshëm drejt krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, krijimit të së cilës Kosova është zotuar vite më parë. Këtë e ka bërë të ditur edhe presidenti francez në bisedën telefonike të fundit me kryeministrin Kurti”, u tha në përgjigje.

Kryeministri Kurti – edhe pse zëshëm e ka mbrojtur qëndrimin e tij se asnjë pikë e Marrëveshjes së Ohrit nuk duhet të dalë mbi tjetrën – dje në Berlin e tha prerazi se për të pasë sukses në Këshill të Europës duhet të ndodhin dy gjëra –  Asociacioni për minoritetin serb dhe ofrimi i të drejtës së bashkimeve civile të së njëjtës gjini për qytetarët e Kosovës.

Kurti s’e përmendi Asociacionin me emër, por tha se për të po punon me anëtarët gjermanë të Bundestagut për “nisma të reja dhe të mëdha”.

“Ne gjithashtu do t’i zgjidhim çështjet e pazgjidhura me të cilat ballafaqohen pakicat tona, të drejtat dhe nevojat e tyre, duke përfshirë minoritetin serb të Kosovës, si prioritet. Edhe për këtë, ne po punojmë me anëtarët gjermanë të Bundestagut për të përshkruar nisma të reja dhe të mëdha. Takimet e mia këtu në Berlin për këtë kanë qenë shumë inkurajuese”, tha Kurti dje në Berlin.