11 vepra penale, kanosi djalin e deputetit, plagosi të vëllanë! Arrestohet "Lypeni" shqiptar - Gazeta Express
string(87) "11-vepra-penale-kanosi-djalin-e-deputetit-plagosi-te-vellane-arrestohet-lypeni-shqiptar"

11 vepra penale, kanosi djalin e deputetit, plagosi të vëllanë! Arrestohet “Lypeni” shqiptar

Gazeta Express

30/09/2020 9:24

Një operacion i kryer nga skuadra operacionale të policisë Durrës dhe ajo e Tiranës, ka mundur të arrestojë në kryeqytet, Lajden Kadellin, njeriu që rezulton të jetë përfshirë në 11 ngjarje kriminale, por çuditërisht nuk ka bërë asnjë ditë burgim. I konsideruar nga uniformat blu me nofkën “Lypeni”, pasi është shpallur shumë herë në kërkim dhe nuk është arritur të kapet, Kadelli, mësohet të jetë arrestuar vetëm mesnatën e djeshme (29 shtator), në ambjentet e kompleksit “Delijorgji” në Tiranë.

Policia në rrugë operative kishte pikasur se jetonte në këtë zonë, dhe mbrëmjen e djeshme një grup agjentësh, kanë vendosur të ndërhyjnë me qëllim arrestimin e tij. Por Lajden Kadilli, ka “nuhatur” lëvizjet e shpeshta të agjentëve dhe menjëherë është shkëputur, duke ju larguar me vrap.

Lexo Edhe:

Në ikje e sipër, Lajden Kadilli, ka hedhur në rrugë një armë zjari pistoletë, por pa kaluar shumë minuta, ai është rrethuar dhe më pas arrestuar nga një patrullë e policisë “Shqiponja”. Lajden Kadilli, është një personazh mjaft i lakuar në botën e krimit në Durrës dhe rezulton të jetë shpallur në kërkim nga gjykata e Durrësit, pasi ka kanosur me armë djalin e deputetit të PS në Durrës, Spartak Braho dhe i ka thyer xhamin e makinës.

Kreshnik Braho, në momentin kur është sulmuar me armë ka qenë në shoqërinë e dy fëmijëve të mitur që ndodheshin në makinë me babain e tyre, por fatmirësisht nuk ka pësuar asnjë lëndim. Ngjarja është regjistruar në muajin gusht 2019. Që prej kësaj date e deri pasditen e djeshme, Lajden Kadilli, figuronte si person me kartelë të “Kuqe” në regjistrat e policisë kriminale.

Një muaj pas kësaj ngjarje dhe shpalljes në kërkim, Lajden Kadilli, në 11 shtator 2019 sërish shpallet në kërkim, por këtë herë me vendim të gjykatës së Tiranës. Vendimi për shpalljen në kërkim të Kadillit është marrë nga gjyqtari, Altin Abdiu, pasi prokuroria e Tiranës e akuzon 27-veçarin për “Vrasje me paramendim” mbetur në tentativë në dëm të Gentian Rrahmanit dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve luftarake dhe municionit”.

Kjo dosje është administruar nga prokurori i Tiranës Robert Kote, ndërsa pritet që në ditët në vijim Kadilli të dalë para gjykatës dhe të njihet me masën e sigurisë “arrest në burg”. Siç mëson “Shqiptarja.com” Kadilli ka qëndruar për më shumë se pesë vite me radhë në kërkim, ndërkohë çështjet penale kundër tij nëpër gjykata, janë zgjidhur me dënime të buta, duke e vënë në shërbim prove. Por ai asnjëherë nuk është arrestuar nga policia.7

E kaluara kriminale e Kadillit dhe historiku i shpalljes në kërkim

“Shqiptarja.com” gjatë kësaj kohe ka mundur të zbulojë të kaluarën kriminale të 27-vjeçarit Kadilli, i cili u bë akoma dhe më i famshëm vetëm pas kanosjes me armë, që i bëri djalit të deputetit Spartak Braho, në Durrës. Më konkretisht, në datën 18 korrik 2013 Lajden Kadilli është shpallur në kërkim, pasi pikërisht në këtë datë rreth orës 20:00, ne vendin e quajtur “Ura e Dajlanit”, në Durrës, ka tentuar të vrasë me autoveturën me targa AA 272 CB, punonjësin e policisë Arben Luçi.

Pas ngjarjes është larguar për tu fshehur, pasi prokuroria dhe policia e këtij qyteti, ka nisur procedim penal për akuzën e “Vrasje për shkak të cilësive të veçanta e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Për këtë ngjarje Kadilli ka dalë nga kërkimi në datën 20 gusht 2013.

Ndërkohë gjashtë muaj më vonë Kadilli, më konkretisht në datën 8 janar 2014, shpallet sërish në kërkim. Kjo pasi prokuroria e Apelit Durrës ka dërguar urdhër për ekzekutimin e Vendimit Penal të Gjykatës Apelit Durrës, e cila ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për akuzën e “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve”, “Kundërshtim te punonjësve të policisë së rendit publik”.

Ky urdhër është anuluar dy muaj me vonë, pikërisht në datën 18 mars 2014, dhe Kadilli ka dalë nga kërkimi. Ndërkohë sërish Lajden Kadilli, është shpallur në kërkim, pasi në datën 4 dhjetor 2014, në rrugën nacionale të lagjes nr.4, Durrës, dyshohet të ketë goditur me makinën me targa “AA 165 KF”, mjetin motoçikletë të efektivit të policisë rrugore në detyrë Çlirim Çopa, duke dëmtuar mjetin e policisë dhe më pas është larguar.

Për këtë ngjarje, është akuzuar për veprën penale të “Goditjes për shkak të detyrës” dhe është shpallur në kërkim në 4 dhjetor 2014 ndërsa në 21 maj 2015 kërkimi është anuluar për Kadillin. Gjithashtu në 15 dhjetor 2014, prokuroria e Durrësit ka lëshuar fletë-arresti për Kadillin për akuzën e “Kundërshtim i punonjësve të policisë së rendit publik” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”, për të cilën është vendosur masa e “arrestit në burg” por në 21 maj 2015 Kadilli sërish ka dalë nga kërkimi, dhe vendimi i gjykatës për arrestimin e tij nuk është ekzekutuar.

Ndërkohë dy ditë pasi ka dalë nga kërkimi i policisë, një tjetër informacion që ndodhet në kartotekën kriminale të Policisë së Shtetit, e përfshin Lajden Kadillin, si person të shpallur në kërkim,pasi në datën 19 maj 2015, në vëndin e quajtur “Unaza e Re”, Forcat e posaçme Shqiponja, në bashkëpunim me seksionin e kërkimit, kanë qënë në shërbim për kapjen e personit në kërkim, Lajden Kadilli.

Ky person nuk i ka ndaluar thirrjeve të punonjësve të policisë, por ka tentuar t’i shtypë ata me automjetin e tij, duke i aksidentuar punonjësit e policisë. Për këtë ngjarje ai është akuzuar për “Vrasje për shkak të cilësive të veçanta e mbetur në tentativë”, dhe është shpallur në kërkim në datën 20 maj 2015. ‘

Ndërkohë në 22 maj të po këtij viti, ky kërkim është anuluar dhe nuk dihet se si ka përfunduar fati i kësaj çështje penale. Pa kaluar shumë kohë nga kjo ngjarje, sërisht Lajden Kadilli, është shpallur në kërkim me kartele ngjyrë “Rozë”, pasi në datën 19 qershor 2016 ora 10:20, në Golem të Kavajës pranë hotel “AS”, ka tentuar të vrasë me armë zjarri pistoletë Albi Çelçima dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Ndaj tij ka filluar dosje penale për akuzën e “Vrasje me paramendim e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Kadilli është shpallur në kërkim në datën 19 qershor 2016 dhe ka dalë nga kërkimi policor pas tre viteve, pikërisht në datën 18 qershor 2019. Gjatë kësaj periudhe ky djalosh nuk është ndaluar asnjëherë të vetme nga policia e Durrësit apo Kavajës, ndërkohë që është përfshirë në një tentativë vrasje në 2018 në Tiranë.

Për plagosjen e Albi Çelçimës në Golem të Kavajës Kadilli është dënuar në muajin qershor 2019 nga gjykata e Kavajës me 4 vjet burgim, duke ja konvertuar këtë dënim me 5 vjet qëndrim i lirë në periudhë kushti. Por gjatë periudhës që ishte në shërbim prove, ai është konfliktuar për parkimin me djalin e deputetit Spartak Braho, Kreshnik Braho, duke e kanosur këtë të fundit me armë dhe thyer xhamin e makinës, me qytën e pistoletës.

Ngjarja ka ndodhur në sy të fëmijëve të mitur të oficerit të policisë Kreshnik Braho. Për këtë ngjarje Kadilli është shpallur në kërkim. Ndërkohë një kërkim i dytë është dhënë në 11 shtator 2019 nga gjykata e Tiranës. Kujtojmë, që në të gjitha rastet që ndodhen në kartotekën kriminale të policisë së Shtetit, që Kadilli është shpallur në kërkim, ai nuk është arrestuar nga policia. Pra nuk ka një vendim gjykate apo urdhër prokurori që përgjatë 6 viteve që të jetë ekzekutuar nga policia e Shtetit. Fatmirësisht ky djalosh, ditën e djeshme është mundur të arrestohet nga policia, ku me vehte i është gjetur dhe një armë zjari.

Rastet e shpalljes në kërkim nga viti 2013-2019

Rasti i parë

Data e statusit: 18.07.2013 aktiv

20.08.2013 Anuluar kërkimi

Rasti i dytë

Data e statusit: 08.01.2014 aktiv

18.03.2014 Anuluar kërkimi

Rasti i tretë

Data e statusit: 04.12.2014 aktiv

21.05.2015 Anuluar kërkimi

Rasti i katërt

Data e statusit: 15.12.2014 aktiv

21.05.2015 Anuluar kërkimi

Rasti i pestë

Data e statusit: 20.05.2015 aktiv

22.05.2015 Anuluar kërkimi

Rasti i gjashtë

Data e statusit: 19.06.2016 aktiv

18.06.2019 Anuluar kërkimi

Rasti i shtatë

Data e statusit: 01.07.2016 aktiv

18.06.2019 Anuluar kërkimi

Rasti i tetë

Data e statusit:17.11.2017 aktiv

11.10.2018 Anuluar kërkimi

Rasti i nëntë

Data e statusit: 20.04.2019 aktiv

21.05.2019 Anuluar kërkimi

Rasti i dhjetë

Data e statusit:16.08.2019 aktiv

Ekzekutuar 30.09.2020 Tiranë

Rasti i njëmbëdhjetë

Data e statusit 11.09.2019 aktiv

Ekzekutuar 30.09.2020 Tiranë.