1 mijë euro gjobë ndaj avokates lidhur me akuzën për keqpërdorim të besimit - Gazeta Express
string(75) "1-mije-euro-gjobe-ndaj-avokates-lidhur-me-akuzen-per-keqperdorim-te-besimit"

1 mijë euro gjobë ndaj avokates lidhur me akuzën për keqpërdorim të besimit

Lajme

Gazeta Express

07/09/2024 12:56

Gjykata Themelore në Ferizaj përmes aktgjykimit të përpiluar më 16 korrik 2024 e ka dënuar me 1 mijë euro gjobë avokaten Emine Bajrami-Statovci lidhur me akuzën për keqpërdorim të besimit.

Sipas aktgjykimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, ndaj Bajrami-Statovcit fillimisht është shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 muaj, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarës është zëvendësuar me dënim në gjobë në shumën prej 1 mijë euro.

Lexo Edhe:

Këtë dënim, Bajrami-Statovci obligohet ta paguajë në afat prej 30 ditësh pasi aktgjykimi ta marrë formën e prerë.

Në aktgjykim thuhet se në rast se e njëjta nuk e paguan dënimin me gjobë, i njëjti do t’i zëvendësohet me dënim me burgim, ku për çdo 20 euro të gjobës së papaguar do t’i llogaritet nga një ditë burgim.

I dëmtuari Sh.M., me përfaqësues me autorizim avokatin Vllaznim Aliu, për realizimin e kërkesës pasurore-juridike është udhëzuar në konstest civil.

“Bazuar në parashtresën e datës 13.06.2024, e akuzuara pas shqyrtimit fillestar ka transferuar shumën e të hollave prej 15,998.05 euro në llogarinë bankare të të dëmtuarit në emër tëkompensimin e dëmit jo material”, thuhet në aktgjykim.

Në aktgjykim thuhet se e akuzuara e kishte pranuar fajësinë në shqyrtim fillestar, duke kërkuar falje dhe shtuar se nuk kishte qëllim ta dëmtojë askënd. Aty thuhet se avokatja e kishte pranuar se në llogarinë e saj kishte dalë shuma e të hollave në emër të kompensimit të dëmit për të dëmtuarin dhe se nuk kishte mundur t’i transferojë në llogarinë e Sh.M.

Gjithnjë sipas aktgjykimit, e akuzuara ishte zotuar se pas shqyrtimit do të bëjë transferin e të hollave tek i dëmtuari dhe se këtë gjë e kishte provuar se e ka bërë.

Andaj, Gjykata vërtetoi përtej çdo dyshimi të bazuar se në veprimet e të akuzuarës ekzistojnë të gjitha tiparet objektive dhe subjektive të veprës që i vihej në barrë.

Kurse me rastin e caktimit të lartësisë së dënimit, Gjykata gjeti si rrethanë lehtësuese pranimin e fajësisë nga e akuzuara, keqardhjen që ka treguar, faktin që është deri tani e padënuar me aktgjykim të formës së prerë dhe se ia ka transferuar të hollat të dëmtuarit në llogari bankare.

“Bazuar në të gjitha këto gjykata ka shqiptuar denim nën kufirin e paraparë me ligj bazuar në nenin 71 par.1 nënpar 1.3 të KPRK-ës si dhe bazuar në nenin 72 par.1 nënpar 1.6 të KPRK-ës, pasi që e akuzuara e ka pranuar fajësinë, ka realizuar në llogarinë e të dëmtuarit shumën në emër të kompensimit të dëmit…”, thuhet në aktgjykim.

Kurse, rrethanë rënduese u vlerësua shkalla e përgjegjësisë penale të të akuzuarës dhe pasoja e shkaktuar në dëm të pasurisë së të dëmtuarit, pasi nuk ia kishte dorëzuar të hollat nga viti 2020 kur ishte realizuar transaksioni.

Mbrojtësi i Bajrami-Statovcit, avokati Adnan Pacolli tha se e kanë pranuar vendimin e Themelores dhe se ndaj tij nuk kanë ushtruar ankesë ngase janë të kënaqur me vendimin.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj më 1 tetor 2020, e në vazhdimësi deri më 22 gusht 2023, e pandehura me dashje dhe qëllim që vetes t’i sjellë dobi pasurore të kundërligishme, ka keqpërdorur autorizimet e saj, në dëm të interesave pasurore të të dëmtuarit Sh.M.

Aktakuza thotë se përderisa ka qenë e autorizuar nga i njëjti që të kujdeset për interesat pasurore të tij, ta përfaqësojë në gjykatat kompetente dhe organet tjera të administratës, nga kompania e sigurimeve “Grawe Elsig” me seli në Prishtinë më 1 tetor 2020, është transferuar shuma e të hollave prej 15 mijë e 998 euro e 5 centë në llogarinë bankare të të pandehurës për kompensimin e dëmit jomaterial lidhur me aksidentin e trafikut të datës 5 gusht 2012, në të cilin i dëmtuari kishte pësuar lëndime të rënda trupore.

Në aktakuzë thuhet se me këtë rast, e njëjta nuk e kishte njoftuar të dëmtuarin dhe nuk e kishte kërkuar llogarinë bankare të tij, për transferimin e të hollave nga kompania e sigurimit për kompensimin e të dëmtuarit, si dhe nuk ka bartur-transferuar shumën e lartcekur në llogarinë e të dëmtuarit,

Me këtë, Bajrami-Statovci akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i besimit” nga neni 330, par.2 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës nr. 06/L-074.

Ndryshe, avokatja Emine Statovci-Bajrami ishte arrestuar më 4 shtator 2023, nën dyshimin për keqpërdorim të besimit, e më pas u lirua në procedurë të rregullt.