Vrasja e Liridona Ademajt ende në “procedurë hetimore”, Prokuroria s’ndan informata tjera - Gazeta Express
string(85) "vrasja-e-liridona-ademajt-ende-ne-procedure-hetimore-prokuroria-sndan-informata-tjera"

Vrasja e Liridona Ademajt ende në “procedurë hetimore”, Prokuroria s’ndan informata tjera

Lajme

Gazeta Express

23/04/2024 15:07

Hetimet për një ndër krimet më të rënda që kanë ndodhur ndonjëherë në vend, po vazhdojnë akoma. Rasti i vrasjes së 30-vjeçares, Liridona Ademajt, nuk është zbardhur ende plotësisht. Aktakuzë nuk ka, e informacionet zyrtare për këtë rast janë të pakta. Në paraburgim po mbahen katër persona, përfshirë edhe bashkëshortin e të ndjerës, Naim Murselin, i cili dyshohet se kishte porositur vrasjen. Motivi vazhdon të jetë mister.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Javën tjetër bëhen pesë muaj nga dita kur u vra Liridona Ademaj. Vrasjen e 30-vjeçares me shtetësi suedeze dyshohet se e porositi bashkëshorti i saj, Naim Murseli. Krimi i rëndë u krye para dy fëmijëve të saj, mbrëmjen e 29 nëntorit të vitit të kaluar, në fshatin Bërrnicë të Prishtinës.

Misteri vazhdon ta përcjell këtë rast që nga fillimi. Ndonëse kanë kaluar disa muaj, informacionet zyrtare që dihen për këtë rast janë pothuajse të njëjtat me ato që ishin bërë publike qysh javën kur ishte kryer krimi.

Nga Prokuroria Themelore e Prishtinës i kanë thënë Gazetës Express se rasti akoma ndodhet në procedurë hetimore. Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj thotë se në këtë fazë, s’mund të ndahen informata tjera.

“Referuar kërkesës së parashtruar nga ana juaj, ju njoftojmë se rasti në fjalë akoma ndodhet në procedurë hetimore, andaj nuk mund të ndajmë me Ju informata të tjera në këtë faze”, thuhet në përgjigjen e Ulajt.

Në paraburgim për këtë rast janë Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla. Policia i kishte arrestuar të tre këta, ditën kur e ndjera ishte varrosur, saktësisht disa orë pas ceremonisë.

Murseli dyshohet se porositi vrasjen e gruas së tij, duke i premtuar 30 mijë euro Plavës për ta kryer krimin e rëndë. Ndërsa, i arrestuari tjetër për këtë rast, Kushtrim Kokalla, dyshohet për marrëveshje për të kryer veprën penale vrasja e rëndë.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin G.P për ta vrarë tani të ndjerën L.M, ku paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes, e cila është realizuar me datë 29.11.2023 rreth orës 20:25 minuta , në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës, në atë mënyrë që derisa i pandehuri N.M ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri N.M me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi I ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30,000.00 €”, thuhej në njoftimin e Gjykatës për caktimin e masës së paraburgimit.

Ndërkohë, më 9 dhjetor është arrestuar edhe një person tjetër për këtë rast. I dyshuari i katërt është T.D., nga Novosella e Gjakovës. Ai dyshohet se ia kishte shitur armën dorasit.

Gazeta Express ka pyetur avokaten e Murselit, Teuta Zhinipotoku, nëse ka të reja për rastin, mirëpo ajo nuk është përgjigjur.

Herën e fundit kur Zhinipotoku është deklaruar për këtë rast është 1 shkurti i këtij viti, kur Murseli kishte përfunduar dëshminë para Prokurorisë.

Ajo kishte deklaruar Murseli e ka mohuar versionin që kishte dhënë gjatë intervistimit në Polici, por edhe raportimet në media për raporte të tensionuara me bashkëshorten dhe aludimet për tradhti.

“Dëshmia e të pandehurit Naim Murseli ka mbaruar. Me sot është kry deklarimi i tij pranë Prokurorisë Themelore në Prishtinë , i cili në tërësi e ka mohuar verzionin e dhënë gjatë intervistimit në Polici. Deklarata e tij ka qenë e dhënë ne detaje në spjegimin e ngjarjes që ka mohuar implikimin e tij në këtë rast. Informatat te cilat janë publikuar lidhje me raportet e tendosura në mes të bashkeshortëve lidhur me besnikërinë e tyre i pandehuri në tërsi i ka mohuar. Prokuroria vazhdon me grumbullimin e provave të mëtutjeshme”, kishte thënë Zhinipotoku për Express.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar javë më parë se po hetohen disa pista, por ende nuk mund të bëhen publike derisa të ketë një përfundim të qartë mbi motivin e vrasjes.

“Procesi hetimor vazhdon në disa faza. Policia në këtë rast është treguar shumë efikase dhe profesionale. Në afat rekord ka sqaruar vrasjen dhe ka arritur të arrestojë personat e përfshirë në këtë rast. Mbetet të zbulohet për motivin e kësaj vrasjeje. Jemi duke hetuar disa pista, por s’mund të bëj publike asgjë, derisa të kemi të kemi të qartë motivin”, kishte thënë Hoxha në Frontal të T7.

Ai kishte thënë se për rastin mund të ketë edhe arrestime tjera.

“Nuk kanë përfunduar arrestimet, kjo varet nga zhvillimet tjera që mund të dalin. S’mund të paragjykoj nëse do të ketë apo s’do të ketë. Mirëpo kjo nuk është e tëra edhe pse është sqaruar pothuajse e gjitha”, ka thënë Hoxha.

I pyetur nëse është kapur nga kamerat e sigurisë momenti i vrasjes së Liridonës, Hoxha kishte thënë se në vendin ku ka ndodhur krimi nuk ka kamera.

“Momenti i vrasjes s’është i fokusuar. Ka qenë një zonë që s’është kapur nga kamerat”, ka thënë tutje ai.

Si u tentua të fshehej rasti?

Krimi i rëndë u krye mbrëmjen e 29 nëntorit, rreth orës 20:26, në rrugën “Dalip Alshiq”, në Prishtinë.

Rasti fillimisht ishte kualifikuar si “Grabitje me pasoja të vrasjes”, duke u bazuar në rrëfimin e Naim Murselit.

Në raportin 24 orësh të Policisë u tha se viktima ka qenë në veturë me bashkëshortin dhe dy fëmijët, kur një person i panjohur i armatosur  i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe pastaj ka qëlluar me armë zjarri.

“GRABITJE ME PASOJA TË VRASJES – Rr. Dlip Alshiq, Prishtinë  29.11.2023 –20:26.  Raportohet se viktima femër kosovare, derisa ka qenë me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre me veturë, një person i panjohur i armatosur i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe është qëlluar me armë zjarri për vdekje. Lidhur me rastin është intervistuar bashkëshorti i saj, dëshmitari mashkull kosovar i cili kishte arritur të largohet nga vetura me dy fëmijët e tyre. Njësit relevante policore, prokurori dhe ndihma e shpejtë urgjente kanë dalë në vendin e ngjarjes, nga mjeku është konstatuar vdekja  e viktimës. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhej në raport.

Ndërkohë, babai i Naim Murselit, Shaban Murseli, kishte dhënë një version tjetër.

“Sipas çdo informacioni që kam, këta ishin duke u vendosur në shtëpi të re. Liridona kishte pasur një shumë të konsiderueshme në çantë dhe ka bërë rezistencë. Kanë pasur diku te 3 mijë euro. Naimi ishte duke ngarë makinën. Ata i kanë dalë me armë para makinës. Kur ju kanë dalë me armë, Naimi e ka kuptuar se do të vriten të gjithë dhe ka ikur nga makina. Flitet dhe një variant tjetër ku ka hapur derën e fëmijëve dhe i ka thënë bashkëshortes; ik, por ajo ka bërë rezistencë. Por mund të jetë ngatërruar me rripin e sigurimit pasi ishte stresi.”, ka deklaruar ai dje për media.