"Ndeshje e vështirë, por ne duam finalen" - Gazeta Express
string(38) "ndeshje-e-veshtire-por-ne-duam-finalen"

“Ndeshje e vështirë, por ne duam finalen”

Gazeta Express

01/06/2020 20:32

Thaqi synon finalen e Kupës së Kosovës me Prishtinë

Mbrojtësi i Prishtinës, Armend Thaqi, foli në prag të sfidës me Drenicën në Digitalb Kupën e Kosovës, duke e pranuar se ndaj këtij kundërshtari kryeqytetasit nuk do ta kenë të lehtë.

Lexo Edhe:

“Po fillojmë sërish pas një pauze jo të dëshiruar nga të gjithë ne futbollistët, mirëpo u përballëm me pandemi globale dhe shpresojmë se tani e kemi tejkaluar. I kthehemi ndeshjes së parë kundër një kundërshtari të vështirë, siç është Drenica. Tradicionalisht vuajmë kundër Drenicës, sepse kanë ekip të mirë dhe lojë të rrjedhshme tani e disa vite rresht”, u shpreh ai.

Thaqi e ka të qartë se rezultati i ndeshjes së parë është shumë i rëndësishëm. Sipas tij, Prishtina do të luftojë për ta siguruar pjesëmarrjen në Europë edhe nëpërmjet Kupës.

“Ne nuk kemi rrugë tjetër, do të hyjmë në ndeshje për ta mposhtur lojën e tyre dhe të arrijmë rezultat sa më pozitiv për ndeshjen e kthimit. Të gjithë e dinë synimin tonë, arritjen në finalen, me çka besoj se do t’i afroheshim shumë garave ndërkombëtare, pra nëse vjen puna edhe nëpërmjet Kupës”.

Futbolli në Kosovë rikthehet me ndeshjen e parë gjysmëfinale të Digitalb Kupës së Kosovës ndërmjet Prishtinës dhe Drenicës, që do të luhet në “Fadil Vokrri”, të martën nga ora 18:00.

Sigurisht që kryeqytetasit, duke iu referuar edhe renditjes në kampionat, mbeten favoritë, gjithsesi ka shumë të panjohura për shkak të periudhës së gjatë pa ndeshje për shkak të pandemisë COVID-19.

Prishtina dhe Drenica në këtë edicion janë takuar në dy ndeshje të kampionatit, 0-0 në Prishtinë dhe 1-3 për bardhekaltrit në “Bajram Aliu” të Skënderajt.

Nga viti 2000, kur “kuqezinjtë” u inkuadruan në Superligë, skuadrat janë ndeshur plot 54 herë. Bilanci flet pozitivisht për Prishtinën që ka siguruar 27 fitore, 11 takime kanë përfunduar barazim dhe 16 herë kanë patur sukses drenicasit. /Gazeta Express/