KF Dukagjini ka zyrtarizuar rikthimin e Armend Dallkut në postin e kryetrajnerit, duke arritur marrëveshje me teknikun kosovar për të marrë drejtimin e skuadrës.
Përmes një komunikate zyrtare, klubi nga Klina bëri të ditur se Dallku rikthehet edhe një herë në krye të ekipit, ashtu siç kishte raportuar Gazeta Express disa ditë më parë.
Sipas Dukagjinit, Dallku është një emër i njohur si për klubin, ashtu edhe për futbollin kosovar, ndërsa përvoja, profesionalizmi dhe përkushtimi i tij pritet të jenë elemente kyçe në përmbushjen e objektivave të skuadrës.
Klubi ka shprehur besimin se rikthimi i trajnerit do t’i japë një shtysë të re ekipit në sfidat e sezonit të ri.
Në fund të njoftimit, KF Dukagjini i ka uruar Armend Dallkut suksese në këtë kapitull të ri në krye të skuadrës nga Klina.
Së fundmi, Arsim Thaqi ishte trajner i Dukagjinit, i cili u shkarkua pas eliminimit nga kualifikimet e Ligës së Konferencës, ku u mposht në rrethin e dytë nga Lugano e Superligës së Zvicrës./GazetaExpress/