Tottenhami dërgon ofertë për anësorin 86-milionësh, i cili e refuzoi Liverpoolin - Gazeta Express
string(79) "tottenhami-dergon-oferte-per-anesorin-86-milionesh-i-cili-e-refuzoi-liverpoolin"

Futboll

Gazeta Express

03/08/2026 18:00

Tottenhami dërgon ofertë për anësorin 86-milionësh, i cili e refuzoi Liverpoolin

Futboll

Gazeta Express

03/08/2026 18:00

Tottenham Hotspur raportohet se ka paraqitur një ofertë prej 47 milionë funtesh për anësorin e Benficas dhe Norvegjisë, Andreas Schjelderup, i cili shkëlqeu në Kupën e Botës dhe dikur refuzoi një transferim te Liverpooli.

Trajneri Roberto De Zerbi ka përforcuar ndjeshëm skuadrën këtë verë. Spurs kanë shpenzuar gjithsej 185 milionë funte për mesfushorët Sandro Tonali dhe Mateus Fernandes, të ardhur përkatësisht nga Newcastle United dhe West Ham United.

Italiani ka afruar gjithashtu mbrojtësin Jan Paul van Hecke nga Brighton, ndërsa Marcos Senesi dhe Andrew Robertson iu bashkuan ekipit si lojtarë të lirë pas përfundimit të kontratave me Bournemouthin dhe Liverpoolin.

Edhe portieri Martin Dubravka ka firmosur me londinezët dhe do të jetë alternativë për Guglielmo Vicario dhe Antonín Kinský.

Nga ana tjetër, kapiteni Cristian Romero pritet të largohet, pasi Tottenham raportohet se ka arritur marrëveshje me Interin për shitjen e tij për 34 milionë funte.

Megjithatë, merkatoja e Spurs nuk duket se do të ndalet këtu.

Sipas mediave portugeze, klubi londinez ka bërë një ofertë me vlerë deri në 47 milionë funte për talentin e Benficas, Andreas Schjelderup.

22-vjeçari u bë i njohur edhe për tifozët anglezë gjatë Kupës së Botës, kur realizoi një supergol ndaj Anglisë në çerekfinale, duke i dhënë epërsinë Norvegjisë 1-0, përpara se Jude Bellingham të udhëhiqte rikthimin e “Tre Luanëve” për fitoren 2-1.

Schjelderup e mbylli Botërorin me një gol dhe tri asistime, duke vazhduar formën e mirë që kishte treguar edhe gjatë sezonit me Benfican nën drejtimin e Jose Mourinhos.

Sipas mediumit portugez “Now”, të cituar nga “Bola na Rede”, oferta e Tottenhamit përbëhet nga rreth 39 milionë funte fikse dhe 8.7 milionë funte të tjera në formë bonusesh.

Megjithatë, norvegjezi ka kontratë me Benfican deri në vitin 2028 dhe në marrëveshjen e tij ekziston një klauzolë lirimi prej 86 milionë funtesh.

Schjelderup iu bashkua Benficas nga Nordsjælland në vitin 2023, ndërsa më herët kishte refuzuar mundësinë për t’u transferuar te Liverpooli, kur ishte vetëm 16 vjeç, në verën e vitit 2020.

Duke folur në vitin 2022 për atë vendim, ai deklaroi: “Sigurisht që ishte pak e vështirë (ta refuzoja Liverpoolin), sepse kur je i ri shikon emrat e mëdhenj dhe kur dëgjon se ata të duan, fillon të të rrotullohet koka. Por mora shumë ndihmë nga babai im dhe agjentët e mi, të cilët më ndihmuan të merrja vendimin e duhur. Na dhembi pak në zemër mua dhe babait tim që nuk iu bashkuam Liverpoolit, por transferimi këtu nënkuptonte të bëhesha pjesë e ekipit të parë dhe jo të një akademie U17 ose U19. Ndjeva se ky ishte hapi i duhur për mua. Fillova me ekipin U19, por e dija se kur të isha gati, mund të kaloja te skuadra e parë. Në klub më thanë se nuk prisnin që ta arrija këtë nivel kaq shpejt. Unë planifikova ta bëja më herët sesa mendonin ata dhe plani im funksionoi. Sigurisht, ndoshta në të ardhmen mund të kaloj te një klub i madh. Për mua, në planin afatgjatë, ky ishte hapi më i mirë. Kur të jem gati, do të bëj hapin tjetër”.

Përpara se të vendoste për Benfican, Schjelderup kishte zhvilluar prova edhe te Bayern Munich dhe Juventusi.

Ndërkohë, Tottenham vazhdon të lidhet edhe me emra të tjerë të mëdhenj, si anësori i Manchester Cityt, Savinho, dhe sulmuesi i Liverpoolit, Cody Gakpo./GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement