Një klub pjesëmarrës në Ligën e Kampionëve po planifikon një lëvizje surprizë për anësorin e Manchester Cityt, Jack Grealish.
30-vjeçari e kaloi sezonin 2025/26 në huazim tek Evertoni, ku regjistroi dy gola dhe gjashtë asistime në 22 ndeshje, përpara se të pësonte një thyerje në këmbë në përballjen ndaj ish-klubit të tij, Aston Villa, në janar.
Ky dëmtim i dha fund sezonit të tij dhe shpresave për të siguruar një vend në përfaqësuesen e Anglisë për Kupën e Botës.
Grealish mbeti nën kujdesin e stafit mjekësor të Evertonit deri në fund të sezonit, përpara se të rikthehej në stërvitje me Manchester Cityn gjatë muajit korrik.
Megjithatë, më 29 korrik u raportua gjerësisht se ai ishte lënë jashtë turneut parasezonal të Cityt në Azi.
Vetë futbollisti reagoi ndaj këtyre spekulimeve, duke sqaruar se mungesa e tij lidhej vetëm me rikuperimin nga dëmtimi.
“Vetëm që ta dini, ende jam duke u rikuperuar nga një dëmtim, kështu që nuk jam ende në stërvitje. Nuk jam ‘lënë jashtë’, ndaj ndaloni së foluri marrëzira. Faleminderit”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Grealish ka edhe 12 muaj kontratë me Manchester Cityn dhe, nëse largohet këtë verë, pritet të pranojë një ulje të konsiderueshme të pagës. Aktualisht ai përfiton rreth 300 mijë funte në javë.
Edhe pse gjatë dy sezoneve të fundit nën drejtimin e Pep Guardiolës u aktivizua gjithnjë e më pak, trajneri i ri i Cityt, Enzo Maresca, kishte lënë të kuptohej se ishte i gatshëm ta përfshinte në planet e tij.
“Momentalisht ai është këtu. Është lojtar i Manchester Cityt. Gjithmonë kam thënë të njëjtën gjë. Në çdo klub ku punoj, dua t’i njoh lojtarët që janë pjesë e skuadrës. Është detyra ime të përpiqem t’i stërvis. Jack është këtu. Kam një marrëdhënie shumë të mirë me të që nga koha kur u largova. Vazhdimisht mbajmë kontakt, sepse ai ka një zemër të madhe dhe është një njeri shumë i mirë. Pastaj do të shohim se çfarë do të ndodhë”, deklaroi italiani gjatë muajit korrik.
Megjithatë, sipas “The Sun”, Atletico Madridi po shqyrton seriozisht mundësinë e transferimit të anglezit.
Raporti thekson se drejtuesit e klubit spanjoll vlerësojnë etikën e punës së Grealish, si në fazën sulmuese ashtu edhe në atë mbrojtëse, duke besuar se ai përshtatet shumë mirë me filozofinë taktike të Diego Simeones.
Simeone ka punuar edhe më parë me futbollistë anglezë, si Kieran Trippier dhe Conor Gallagher.
Megjithatë, nuk është e sigurt nëse Grealish do ta kishte të garantuar një vend titullari tek Atletico, pasi klubi ka transferuar këtë verë Lee Kang-in, ndërsa në krahë janë gjithashtu Álex Baena, Thiago Almada dhe Ademola Lookman.
Atletico Madridi pati një sezon zhgënjyes në 2025/26, duke e mbyllur La Ligan në vendin e katërt, ndërsa humbi finalen e Kupës së Mbretit ndaj Real Sociedadit pas penalltive.
Në Ligën e Kampionëve, skuadra e Simeones arriti deri në gjysmëfinale, ku u eliminua nga Arsenali.
Në rast se transferimi në kryeqytetin spanjoll nuk realizohet, Evertoni raportohet se është ende i interesuar ta rikthejë Grealishin në huazim edhe për një sezon tjetër, ndërsa nuk përjashtohet as një rikthim tek Aston Villa./GazetaExpress/