ZVICRA - Gazeta Express
string(6) "zvicra"

ZVICRA

OP/ED

Gazeta Express

14/01/2025 11:42

Edhe rilindasit tanë, që vuanin për ta nxjerrë atdheun e tyre nga mjerimi e prapambetja shekullore, janë pjesë e kësaj dashurie globale për Zvicrën.

Shkruan: Fatverë Jonuzaj:

Lexo Edhe:

Zvicra gjithmonë i ka mahnitur njerëzit nga të katër anët e botës. I ka mahnitur me natyrën e saj, me romancën e peisazheve të saj, me kulturën dhe traditat e saj.

Ka shekuj kjo mahnitje, kjo rënie në dashuri me Zvicrën. Na e tregojnë kronikat e kohëve të ndryshme. Na e tregojnë veprat e artit. Veprat e mendimit intelektual. Na e tregojnë dëshmitë e pafundme të njerëzve, që takimin e tyre me Zvicrën kanë dashur ta ruajnë në arkivat e gjërave të tyre të çmuara. Edhe një mendje e trazuar si Fridrih Niçe, tek Zvicra gjente qetësinë shpirtërore. Pa këtë oazë prehjeje mbase sot nuk do t’i kishim veprat e tij filozofike, të cilat e kanë ndryshuar rrënjësisht të menduarit filozofik të njeriut perëndimor.

Edhe rilindasit tanë, që vuanin për ta nxjerrë atdheun e tyre nga mjerimi e prapambetja shekullore, janë pjesë e kësaj dashurie globale për Zvicrën.

Pashko Vasa, autor i hymnit “O moj Shqypni!”, ëndërronte që një ditë atdheu i shqiptarëve të bëhej si Zvicra. Ai frymëzohej nga ngjashmëria e madhe mes Alpeve zvicreane me Alpet shqiptare dhe nga modeli zviceran i harmonisë së dallimeve kulturore e fetare. Krejt kjo lidhej me brengën e rilindasve tanë për të ruajtur unitetin kombëtar të shqiptarëve nga rreziqet e dallimeve që i ndanin ata.

Që nga koha e ëndërrimit të Pashko Vasës ka kaluar më shumë se një shekull dhe ëndrra e tij ende nuk është bërë realitet. Kuptohet, për fajin e rrethnave historike, e ndonjëherë edhe për fajin e mbrapshtive të vetë shqiptarëve, të cilat kurrë nuk na kanë munguar. Atdheu i shqiptarëve nuk është bërë ende Zvicër, por sot Zvicra është bërë atdheu i dytë i qindra-mijëra shqiptarëve, nga e e gjithë gjeografia e tyre etnike. Ata i takon kudo. Në çdo rrugë, shesh, qytet e fshat.  E pra, të tilla janë ironitë e historisë me ëndrrat tona. Sidoqoftë, ato, pra ëndrrat, janë të domosdoshme. Për ta na motivuar e frymëzuar që qenien tonë në këtë botë ta ndryshojmë e ta përmirësojmë. Kjo, në fund të fundit, përbën dimensionin themelor të vetë lirisë njerëzore. Është pikërisht liria ajo që e bën aq tërheqës tokën zvicerane. Një liri që ka arritur t’u mbijetoj dallgëve mizore të historisë europiane, tërmeteve shkatërrimtare të saj, urrejtjeve të organizuara e të institucionalizuara që donin të fshinin nga faqja e dheut atë që e bën të bukur njerëzimin: diversitetin e tij. Zvicra ka qenë dhe vazhdon të mbetet një shembull unik se si njeriu nga diversiteti mund të nxjerr harmoninë dhe progresin. Një mishërim i sloganit të famshëm të Ogyst Kontit “Progres përmes rendit”.

 Filozofia, e cila qysh nga koha e Platonit ka gjurmuar mbi sekretin e rendit njerëzor, e gjen këtu modelin e zgjidhjes së këtij sekreti. E gjen edhe mishërimin e idealit të saj antik për unitetin e të bukurës me të mirën. Është pikërisht ky ideal që ka frymëzuar veprat më të mëdha të artit në historinë e qytetërimit Perëndimor. Por kjo është vetëm njërën anë e frymëzimit që ka nxitur e vazhdon të nxis Zvicra tek shpirti njerëzor. Ana tjetër përfshin problemet e filozofisë praktike. Zvicra ka një histori të pasur dhe interesante si një paradigmë e qeverisjes së mire, që në shekujt e parë të modernitetit.  Ajo është e shquar për sistemin e saj të decentralizuar të qeverisjes, ku kantonet kanë një autonomi të madhe dhe një rol të rëndësishëm në vendimmarrje. Kjo strukturë e decentralizuar ndihmoi në ruajtjen e stabilitetit dhe paqes brenda vendit, duke e bërë Zvicrën një shembull të suksesshëm të bashkëjetesës dhe udhëheqjes kreative me diversitetin e qytetarëve.

Një nga karakteristikat kryesore të qeverisjes zvicerane është koncepti i demokracisë së drejtpërdrejtë, ku qytetarët ushtrojnë të drejtën e tyre për të vendosur mbi politikat publike përmes referendumeve. Kjo traditë e pjesëmarrjes aktive të qytetarëve në procesin politik është një nga arsyet që Zvicra është parë si një model për vendet e tjera perëndimore dhe më gjerë.

Në këtë kontekst, Gjeneva, si një qytet i rëndësishëm, ka luajtur një rol të madh në zhvillimin e ideve demokratike dhe në promovimin e paqes ndërkombëtare, veçanërisht pas Luftës së Dytë Botërore. Ajo është bërë një qendër për organizatat ndërkombëtare dhe një simbol i diplomacisë dhe bashkëpunimit global. Dhe kjo nuk është aspak e rastësishme.

I biri i këtij qyteti, filozofi Zhan Zhak Rusoi, e pa Gjenevën si model se si duhet të organizohet shoqëria dhe shteti në pajtim me idealet e lirisë. Vepra e tij e madhe “Kontrata Sociale”, shpesh e lexuar si një traktat frymëzues për jakobinët revolucionarë të Parisit, në fakt është një hymn për liritë dhe shpirtin demokratik zvicrean. Pa dyshim edhe romantizmi i tij, kulti i tij filozofik i tij për njeriun e natyrës, i ka rrënjët tek Gjeneva. Njeriu lindë i lirë, por gjithkund është në pranga, – shkruan Rusoi në fjalitë e para të veprës së tij të madhe. Krejt problemi politik është se si t’i heqim këto pranga dhe të rigjejmë lirinë tonë. Sot mijëra njerëz ëndërrojnë të jenë pjesë e qytetërimit zviceran, pikërisht se aty e gjejnë  përgjigjen në këtë pyetje themelore të mendimit njerëzor.

Autorja është historiane dhe studiuese e filozofisë.