Zendaya ka dëshmuar edhe një herë pse konsiderohet mbretëresha e “method dressing”, duke e lidhur stilin e saj në tapetin e kuq me personazhin që luan në filmin “The Odyssey”.
Aktorja 29-vjeçare mori gjithë vëmendjen në premierën glamuroze të filmit të ri epik të Christopher Nolanit, të mbajtur në “Odeon Luxe Leicester Square” në Londër, teksa u shfaq me dy dukje spektakolare të frymëzuara nga karakteri i saj, Athena.
Në filmin e Nolanit, Zendaya luan Athenën, perëndeshën greke të mençurisë, luftës dhe mjeshtërive, e cila shërben si mbrojtëse hyjnore dhe udhërrëfyese e Odiseut, të interpretuar nga Matt Damon, gjatë rrugëtimit të tij të vështirë për t’u kthyer në shtëpi pas Luftës së Trojës.
Në paraqitjen e parë, Zendaya shkëlqeu me një fustan dramatik nga Schiaparelli, me korse të strukturuar në formë parzmoreje, që i jepte pamjes së saj një fuqi të qartë mitologjike. Dukjen e kompletoi me një varëse të përshtatur në qafë, duke krijuar një imazh elegant, të guximshëm dhe plot simbolikë.
Fustani couture, pjesë e koleksionit vjeshtë/dimër 2026 të Daniel Roseberry, ishte prezantuar vetëm pak orë më herët në Javën e Modës Haute Couture në Paris.





Më vonë, Zendaya ndryshoi dukje dhe u shfaq me një fustan të gjelbër me dizajn gjethesh dhe fund prej shifoni, teksa pozoi së bashku me pjesën tjetër të kastit.
Në premierë ishte i pranishëm edhe bashkëshorti i saj, Tom Holland, i cili në film luan Telemakun, djalin e Odiseut dhe princin e Itakës. Aktori u shfaq elegant me një kostum ngjyrë blu të errët. Çifti kishte konfirmuar martesën e tyre muajin e kaluar.
Ndërkohë, Anne Hathaway, 43 vjeç, e cila është shtatzënë, shkëlqeu me një fustan të kaltër pa rripa, që theksonte barkun e saj të rrumbullakosur. Në film, ajo luan Penelopën, gruan besnike të Odiseut.



Në event morën pjesë edhe emra të tjerë të mëdhenj të kastit, përfshirë Lupita Nyong’o, Benny Safdie, John Leguizamo, Matt Damon me bashkëshorten e tij, Robert Pattinson, Himesh Patel, regjisorin Christopher Nolan dhe producenten Emma Thomas.
“The Odyssey” është një adaptim i eposit të lashtë grek të Homerit, ku mbreti grek Odiseu nis një udhëtim të rrezikshëm drejt shtëpisë pas Luftës së Trojës, me qëllimin për t’u ribashkuar me gruan e tij të dashur, Penelopën.
Edhe pse filmi vjen nga duart e një regjisori fitues të Oscarit si Christopher Nolan, zgjedhjet e kastit kanë ngjallur diskutime të shumta në publik.
I përshkruar si një nga projektet më ambicioze të Nolanit deri më sot, “The Odyssey” mbledh një kast të jashtëzakonshëm yjesh dhe vjen me pritshmëri shumë të larta. Presioni mbi regjisorin për të bindur kritikët dhe publikun është i madh.
Nolani, i njohur për filmat me vizion të madh artistik dhe buxhete të larta, duket se me këtë projekt ka ndërmarrë sfidën më të madhe të karrierës së tij. Me një buxhet prej rreth 250 milionë dollarësh, filmi konsiderohet më i shtrenjti në karrierën e tij dhe i pari i xhiruar tërësisht me kamera IMAX 70mm.
Matt Damon luan heroin kryesor, Odiseun, ndërsa Anne Hathaway interpreton mbretëreshën e tij të përkushtuar, Penelopën, e cila gjatë mungesës së burrit të saj detyrohet t’u bëjë ballë pretendentëve që kërkojnë ta marrin për grua.
Kasti i madh përfshin gjithashtu Zendaya, Tom Holland, Lupita Nyong’o, Charlize Theron, Robert Pattinson, Travis Scott dhe Elliot Page.
Megjithatë, filmi ka marrë vëmendje edhe për arsye të tjera, përfshirë reagimet ndaj zgjedhjeve të aktorëve, të cilat disa kritikë në rrjetet sociale i kanë quajtur “të pazakonta”.
Christopher Nolan ka mbrojtur publikisht vendimin për ta përfshirë aktoren keniane Lupita Nyong’o në film, pasi Elon Musk e kishte cilësuar këtë zgjedhje si “historikisht të pasaktë”.
Lupita, 43 vjeç, luan Klitemnestrën, motrën e Helenës së Trojës. Aktorja, e shpallur nga revista “People” si “Gruaja më e bukur në botë” në vitin 2014, fitoi famë të madhe pas triumfit me Oscar për rolin e saj në “12 Years a Slave”.
Duke mbrojtur zgjedhjet e tij, Nolan tha: “Shpresoj që publiku ta shijojë filmin, edhe nëse nuk pajtohet me gjithçka. Përshkrimet më të hershme të personazheve homerike zakonisht janë bërë në mënyrën se si dukeshin njerëzit në kohën e Homerit.”
Ai shtoi se ka një bazë të fortë për t’i paraqitur personazhet në këtë mënyrë, pasi kështu e ka pranuar rrëfimin edhe publiku i parë.





Komentet e Musk për kastin u kritikuan më herët edhe nga Sunny Hostin, prezantuese e emisionit “The View”.
“Çdokush mund të luajë një personazh imagjinar. Nuk është e nevojshme që këtë rol ta luajë patjetër një person i bardhë”, tha ajo.
Hostin shtoi se, sipas saj, komentet e Musk duhen quajtur me emrin e tyre të vërtetë, duke e akuzuar atë për qëndrime raciste.
Edhe aktori Alec Baldwin reagoi në mbështetje të Lupita Nyong’o dhe Christopher Nolanit. Në një postim publik në Instagram, ai shkroi: “I dashur Elon… por ajo ËSHTË gruaja më e bukur në botë… Alec.”
Me një kast të madh, buxhet gjigant dhe një histori të njohur mijëravjeçare, “The Odyssey” pritet të jetë një nga filmat më të komentuar të vitit. /GazetaExpress/