Joshua Zirkzee është shumë pranë largimit nga Manchester United, pasi sipas mediave italiane ka arritur marrëveshje me AS Romën për një transferim gjatë afatit kalimtar të janarit.
Sulmuesi holandez, i cili iu bashkua United në verën e vitit 2024 për 36.5 milionë paund, nuk ka arritur të sigurojë minuta të rregullta nën drejtimin e Ruben Amorim. Me vetëm shtatë gola në 49 paraqitje sezonin e kaluar dhe rol të kufizuar këtë edicion, Zirkzee ka vendosur të kërkojë një zgjidhje tjetër për të luajtur më shumë, sidomos në prag të Kupës së Botës.
Sipas La Gazzetta dello Sport, 24-vjeçari ka pasur bisedime pozitive me drejtorin sportiv të Romës, Ricky Massara, dhe trajnerin Gian Piero Gasperini, i cili e ka siguruar se do të ketë rol të rëndësishëm në skemën 3-4-2-1. Roma synon ta marrë fillimisht në huazim gjashtëmujor, me detyrim blerjeje në verë për rreth 35 milionë paund.
Megjithatë, marrëveshja nuk pritet të jetë e thjeshtë, pasi Amorim ka theksuar se lojtarët mund të largohen vetëm nëse vijnë zëvendësues. Nëse gjithçka shkon sipas planit, Zirkzee pritet të bëhet përforcim i Romës deri në mesin e janarit. /GazetaExpress