Anësori i Juventusit, Francisco Conceição ka deklaruar me shumë vetëbesim se ai është “një nga më të mirët në botë në rolin e tij”, duke shtuar se i pëlqen të fitojë duelet po aq sa edhe të shënojë gola.
Ai tha për “La Gazzetta dello Sport” se ka mësuar shumë nga babai i tij, Sérgio Conceição, duke theksuar se filozofia e tij është e bazuar në pasion dhe luftë në fushë.
“Babai më ka mësuar të luaj me pasion, të shijoj futbollin dhe të bëj diferencën me karakteristikat e mia,” tha ai.
Conceição shtoi se edhe aspekti defensiv është pjesë e lojës së tij:
“Më pëlqen të mbroj dhe të fitoj duele, sepse këto janë gjëra që babai më ka mësuar që kur isha fëmijë. Fitorja e një dueli është po aq e rëndësishme sa një asist apo një gol”, shtoi ai.
23-vjeçari pranoi se fakti që është djali i një trajneri të njohur ka sjellë edhe presion.
“Ka qenë e vështirë kur isha 18 vjeç, sepse njerëzit thoshin se luaja vetëm sepse babai im ishte trajner. Por kjo më bëri më të fortë mendërisht.”
Ai shtoi se Porto ishte klubi ku nisi karrierën profesionale nën drejtimin e babait të tij, duke kaluar nga akademia në ekipin e parë.
Sa i përket kritikave për mungesën e golave, Conceição pranoi se kjo është një fushë ku duhet të përmirësohet.
“E di që duhet të përmirësoj goditjet në portë, por është më shumë çështje qetësie. Po punoj me stafin dhe besoj se kam cilësinë për të shënuar më shumë gola.”
Këtë sezon, ai ka regjistruar 4 gola dhe 5 asistime në 42 ndeshje me Juventusin, ndërsa vazhdon të shfaqë besim të lartë në aftësitë e tij pavarësisht kritikave për efikasitetin në finalizim./GazetaExpress/