Vulgus-i vs Zana Avdiu - Gazeta Express
string(22) "vulgus-i-vs-zana-avdiu"

Vulgus-i vs Zana Avdiu

OP/ED

Gazeta Express

10/12/2022 18:48

Se nacionalizmi nuk është ekskluzivisht mashkullor, dëshmon fakti se shumë gra janë kundër Zana Avdiut? E, do të duhej ta merrnin anën e saj. Granit Xhaka me qenë djalë i edukuar mirë, duhet ta marrë në mbrojtje një grua të re kosovare, të cilës, në vendin e origjinës së tij, banditë të rrezikshëm e budallenj të rëndomtë (vulgus) sëbashku ‘duan t’ia heqin kokën’…

Nga Halil Matoshi

Lexo Edhe:

Në vitet ‘90 me një grup aktivistësh, gra e burra, krahas rezistencës antifashiste ishim përfshi në një fushatë kundër analfabetizmit që vazhdonte të ishte i lartë në Kosovë me motton “Me laps n’Europë”! Shkëlzen Maliqi atëbotë kishte ironizuar me këtë thirrje romantike tonën, sepse kishte nisë epoka e globalizimit dhe H-tech-it: “Me k. n’Europë” e kishte parodizuar ai si kundërvënie rrethimit serbian.

A ishte një profeci, (ja ku jemi!) apo ishte thjesht parodizim? Maliqi po u dilte në mbrojtje shqiptarëve etnikë rreth natalitetin e lartë të tyre që stigmatizohej nga politika zyrtare serbe dhe e kishte bërë këtë ironizim për të vënë në pah pikërisht fallocentrizmin tonë simbolik (lapsi) si mësymje kundër diçkaje ose dikujt! Dhe qe, njerëzit e Ballkanit si Xhaka, ende sillen me fallocentrizëm në raportet shoqërore, 32-vjet më pas edhe kur me kombet e tyre kanë lidhje gjaku por jo interesash.

Rasti i dy futbollistëve, Xhakës nga kombëtarja zvicerane dhe futbollistit serb Vlahović, dëshmoi se sa fellë në histori shkon urrejtja ndërmjet dy profesionistëve, që dëftojnë armiqësinë e origjinave të tyre, në vend që të ishin në shërbim të mirëkuptimit ndërmjet njerëzve, kombeve e kulturave.

Gjesti i tyre është josportiv e seksist, e sdmos nuk është pritur nga Xhaka, të cilit kombëtarja zvicerane ia ka besuar thirrjën e Kapitenit! E sipas gazetës Blick, pas gjestit në lojë me Serbinë, nga një sondazh me rreth 37 mijë respodentë, 69% nga ta kanë qenë të mendimit se Xhakës duhet t’i hiqet shiriti i kapitenit.

Ashiqare që nacionalizmi i Granit Xhakës ishte defansiv dhe reaktiv, ndonëse gjesti i tij ishte poaq fallocentrik edhe pse erdhi pas mësymjës ndaj tij, rrethimit dhe linçimit nga disa serbë të rinj, por përfaqësues të një shovenizmi të hapur dhe agresiv. Sëkëndejmi FIFA ka nisur ta hetojë sjelljën e serbëve në Katar, të cilët veçimin ose segregimin e shqiptarit e kanë obsesion shekullor.

Po pse ky identifikim masiv i mërgatës me Xhakën e Shaqirin e jo psh. me mjekun e famshëm Omer Xhemaili?

Futbollistët sado të zotët, nuk hyjnë kurrë në rrethin e intelektualëve, sepse janë më afër estradës, porse për nacionalizmin, janë më të rëndësishëm. Një pjesë e mërgatës kosovare i çoi hundët kur pata deklarova në një intervistë se intelektualët në mërgatë janë të pakët!?

Mërgata, e nxitur ng gjuha përjashtuese e pushtetit, ka nisur të sillet si komunitet në vete dhe ndryshe nga kombi i origjinës. Po duan t’u thonë njerëzve të tyre në Atdhe, se janë superiorë dhe më patriotë se sa rezidentët. Teoria e Personalitetit të Alfred Adler në lidhje me personalitetin spikat se si fëmijëria e një individi ndikon në sjelljen e tij. Sipas Adler, çdo individ lind me një ndjenjë të lindur për të qenë inferior ndaj të tjerëve dhe ndaj pritshmërive dhe kjo shpie tek komoensimi për të degraduar në agresionin prej superiori si përpjekje për të hedhur poshtë vetëvlerësimin e ngarkuar me inferioritet.

Komplekset e epërsisë nuk janë sinjale të mungesës së kompleksit të inferioritetit. Përkundrazi, ato mund të jenë provë se kompleksi i inferioritetit të një personi është aq kërcënues, saqë ata ndiejnë nevojën për të pohuar veten.

Pse po shtihaven kogja shumë shqiptarë kinse të edukuar derisa në murin e tyre në Facebook vëndosën masovikisht fotografinë fallocentrike të Xhakës!? Mërgatë e shkolluar dhe krenohet me një gjest seksist!?

Nuk shkon. Shumica nga ta e pëlqejnë (e pëlqyen?) gjestin e Granit Xhakës, sepse këtë gjest e kanë të mishëruar si parashenjë të mashkullores, kur ajo u cënohet nga një armik i qenë apo i supozuar dhe e përdorin në familje, në lojë e raporte shoqërore.

Fallicentrikët janë krysisht njerëz të papërmbushur me “bukë e lojëra” dhe e vuajnë kompleksin e vlerës më të ultë. Prandaj dëfrehen me nacionalizmin më të ulët, që përkufizohet me fashizëm “pa thoj”.

E përdorin pohimin e vetës për ta përmbushë boshin mental dhe mungesën fatale të empatisë! Shumë nga ta, në veprimet e tyre, sipas do rregullave të kalbëzuara kanunore, se ashiqare as Kanuni nuk e njohin. Misogjen të rrezikshëm. Për t’u frikësuar ishte fakti se edhe ata që e morën në mbrojtje Zana Avdiun frikësoheshin të thonë se gjesti i Xhakës ishte fallocentrik e seksist por arsyetoheshin kinse me të drejtën e mendimit ndryshe të saj!?

Jo, Zana duhet mbrojtur nga ata që duan “heqje koke”, nga dhunues e vrasës potencialë, pikërisht për atë që e tha, e jo pse ka të drejtë ta thotë!? Fallocentrizmi i tyre konsiston në intencën për t’u trashëguar me djem: gjuetarë parak që shenjëzojnë tjetrin/tjetren me gishtin tregus, që është vrasje simbolike dhe privilegjojnë mashkulloren (fallus-in) në qendër të marrëdhënieve shoqërore.

Ata (kercënuesit) janë mbi të gjitha injorantë e budallej, që i japin vetes të drejtë ekskluzive për ta mbrojtur burrëtorën në sferën publike, pa ua kërkuar askush: historinë dhe figurat që sipas tyre simbolizojnë nderin e kombit, fuqinë e tij kundër tjerëve, moralin, patriotizmen… Ata rreshtohen me njerëz që i perceptojnë të mëdhenj në gjeste jo me ide të mëdha.

Janë nacionalistë arkaikë, pra patriotë-kitsch si vulë e vulgus-it, me shije të dobët e shpërthim sentimental! Unë e admiroj Zana Avdiun për faktin se mendon, flet e shkruan (kur nji komb i tërë ka probleme me të kuptuarit e asaj që lexon, sipas testit PISA) dhe për guximin me dalë përballë do burrave që u lëbyren sytë nga drita, sepse sapo e kanë braktisë shpellën. Dhe lëngëzojnë nga paaftësia për të menduar racionalisht, nga paaftësia pra. Ata nuk e njohin empatinë as dashurinë dhe vërsulën si “bisha me fytyrë të mërdhezur” (Nietzsche), kundër secilit që i nxit për të dalur nga ngadalësia e të kuptuarit dhe ngërçi mental.

Ballkanasit me të dalur nga shtëpia në ‘Drum’ – udha e madhe – si dalje simbolike në botë, e nxjerrin një hu gardhi dhe e marrin në krah (lapsi ynë i viteve ‘90!?) helbete, mund të zatetën në tjetrin që i zhburrnon. Kulti i shenjëzimit të tjetrit/tjetrës edhe në kolesiumet moderne (stadiume) nuk është diçka e re. Futbolli si lojë me top e dy porta, është fallocenrik (luftë simbolike burrash për përvetësimin e grave) sëkëndejmi është shfaqje teatrore që simbolizon luftën për dominim.

E në këtë Teatër antik, Agora nuk ka vend.

Prandaj Zana stigmatizohet në këtë “ndjekje shtrigash”, sepse ua lëndon burrërinë, duke mos e pranuar një gjest fallocentrik për krenari, por thjesht gjest rrugaqërie.