Vuçiq me Dodikun e oficerë ushtarakë: Gjendja e sigurisë më e ndërlikuar për shkak të aleancës Prishtinë-Tiranë-Zabreg, të armatosemi - Gazeta Express
string(131) "vuciq-me-dodikun-e-oficere-ushtarake-gjendja-e-sigurise-me-e-nderlikuar-per-shkak-te-aleances-prishtine-tirane-zabreg-te-armatosemi"

Lajme

Gazeta Express

15/04/2026 10:50

Vuçiq me Dodikun e oficerë ushtarakë: Gjendja e sigurisë më e ndërlikuar për shkak të aleancës Prishtinë-Tiranë-Zabreg, të armatosemi

Lajme

Gazeta Express

15/04/2026 10:50

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq foli për gjendje “më të ndërlikuar” të sigurisë për shkak të, siç thotë, “aleancës” Prishtinë-Tiranë-Zagreb, pas një takimi me zyrtarë të Ministrisë serbe të Mbrojtjes, oficerë ushtarakë e udhëheqës të Republika Srpska-s në Bosnjë, përfshirë Millorad Dodikun.

Ai ka njoftuar një paketë të gjerë masash për modernizimin dhe robotizimin e ushtrisë serbe, duke përfshirë formimin e njësive me platforma të robotizuara dhe divizioneve të dronëve sulmues me rreze të gjatë, ndërsa ka publikuar disa fotografi nga takimi në kazermën “Banjica”.

“Si komandant suprem i Ushtrisë së Serbisë, kam propozuar sot hartimin dhe miratimin e strategjisë së robotizimit, formimin e një njësie të rangut të batalionit të pajisur me platforma të robotizuara, kryerjen e përgatitjeve organizative për formimin e divizioneve dhe batalioneve të dronëve sulmues me rreze të gjatë dhe municionit shëtitës, stërvitjen e njësive speciale zbulimore për përcaktimin e koordinatave të objektivave për drejtimin e zjarrit të artilerisë dhe aviacionit, si dhe pajisjen dhe aftësimin e mëtejshëm për përdorimin e dronëve në njësitë e tjera”, shkroi ai në një postim në Facebook.

“U kam kërkuar oficerëve që në këtë periudhë revolucionare ndryshimesh në ushtrinë tonë, me entuziazëm të madh dhe përkushtim edhe më të madh, të marrin pjesë në digjitalizimin dhe robotizimin e ushtrisë sonë, si dhe në përdorimin e raketave më të fuqishme dhe më moderne”, shtoi Vuçiq.

Theksi kryesor i deklarimit të tij ishte te përkeqësimi i situatës së sigurisë në rajon, sipas tij. Vuçiq tha se gjendja është më e ndërlikuar se në fillim të vitit, duke e lidhur këtë drejtpërdrejt me atë që e quajti “aktivitetet e aleancës ushtarake të Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit”.

“Gjendja e sigurisë është disi më e ndërlikuar sesa në janar, kur iu drejtuam, para së gjithash për shkak të veprimeve dhe aktiviteteve të mëtejshme të aleancës ushtarake të Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit. Përcaktimi ynë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin nuk ka ndryshuar, dhe këtë mund ta ruajmë vetëm nëse jemi mjaftueshëm të fortë dhe të fuqishëm”, shkroi ai.

Në ditët në vijim, Vuçiq paralajmëroi nënshkrimin e kontratave “shumë të rëndësishme për furnizimin me mjete armatimi dhe pajisje ushtarake”.

“Na presin vizita të rëndësishme dhe kontrata të reja me vende të tjera, në mënyrë që të bëjmë porosi të mëdha për ushtrinë tonë. Besoj se në periudhën e ardhshme do ta ngremë në një nivel më të lartë gjithçka për të cilën kemi folur sot. Do të vazhdojmë të zhvillohemi më tej në të gjitha aspektet. Mendoj se do të jemi një nga ushtritë me interoperabilitetin më të theksuar dhe me kapacitetet më të mëdha jo vetëm në rajonin tonë, por edhe më gjerë se kaq”, tha ai.

Vuçiq tha se së bashku me Dodikun dhe udhëheqjen në RS po i shqyrtojnë “rreziqet e mundshme për sigurinë e vendit”. Ai tha se po e shqyrtojnë edhe “gjendjen e fuqisë sonë ushtarake, mbrojtjen dhe kapacitetet që planifikojmë t’i blejmë për t’i përmirësuar më tej këto aftësi”.

Advertisement
Advertisement
Advertisement