I propozuari i Vetëvendosjes për President, Glauk Konjufca, tha se do të ishte i lumtur ta tërhiqte kandidaturën e tij nëse dy parti opozitare do të jepnin një emër.
“Në momentin që opozita e gjen një president të përbashkët dhe e propozon para nesh, e ky nuk do të thotë që do të ishte propozimi i krejt opozitës, po së paku i dy prej partive politike, unë mendoj që do të isha shumë i lumtur të tërhiqja kandidaturën time. Por, nëse kjo s’ndodh dhe tërhiqet kandidatura nuk e zgjidh problemin”, tha ai sot para gazetarëve.
Konjufca më pas akuzoi opozitën për mungesë vullneti për të dhënë emra dhe tha se situata e krijuar është për këtë shkak.
“Për emrin mund të pajtohemi, mund ta gjejmë një konsensus mes subjekteve politike. Siç e kam parë unë deri tash, këto dy subjekte politike s’kanë qenë të vullnetshme të propozojnë emra. Kjo është arsyeja pse jemi ku jemi”.
I pyetur se pse Vetëvendosje s’ka dhënë emra jopartiakë për postin e Presidentit, Konjufca tha se kjo barrë rëndon mbi partitë opozitare.
“S’ka ndodhë për arsye se më shumë barra e provës bie mbi opozitën që të na propozojë ndonjë emër kurse ne t’i japim votat tona. Kjo ka qenë edhe ideja. Është e kollajshme për opozitën të japë emra”.
Në fund Konjufca përmendi zgjedhjet, por duke i bërë përgjegjëse partitë opozitare.
“Shkojmë në zgjedhje të reja nëse është vullneti i opozitës. Nuk kemi çka të bëjmë”, tha ai./Express/